Botërori i polemikave: FIFA detyron edhe Egjiptin të ndryshojë fanellën
FIFA në këtë edicion të Botërorit po imponon ndryshime edhe në fanellat e ekipeve pjesëmarrëse. Fillimisht ishte Haiti, e cila u detyrua të modifikonte dizajnin e fanellës për shkak të një imazhi që paraqiste një moment të luftës për pavarësi të ishullit. FIFA e interpretoi këtë si një mesazh politik.
Tani, radha i ka ardhur Egjiptit. Federata e Futbollit të Egjiptit njoftoi se FIFA i kishte kërkuar heqjen e yjeve të vendosur rreth stemës në fanellë. Egjipti i përdor këta yje për të shënuar 7 fitoret e tij në Kupën e Kombeve, turneu më prestigjioz i konfederatës afrikane. Megjithatë, FIFA ka sqaruar se yjet në fanellë gjatë këtij aktiviteti janë të rezervuar vetëm për ekipet fituese të Botërorit.
Ky nuk ka qenë kërkesa e vetme. FIFA gjithashtu ka precizuar se numrat në fanellë duhet të jenë të bardhë dhe jo të artë, siç i ka pasur zakonisht Egjipti. Arsyeja për këtë ndryshim lidhet me lehtësinë e transmetuesve televizivë, të cilët hasin vështirësi me reflektimin e numrave të artë. Si pasojë, Egjipti u detyrua të bënte ndryshimin e radhës para ndeshjes së parë kundër Belgjikës.
