Mër. Dhj 19th, 2018

Fiks Fare/ Kukës, turku punon si dentist pa diplomë e licencë

Një shtetas turk i palicencuar dhe pa diplomën e stomatologut ushtron profesionin si dentist në qytetin e Kukësit. Hasan Ugur punon si stomatolog në një klinikë private të cilën Inspektoriati Shëndetësor e ka mbyllur prej muajsh.

Pranë redaksisë së Fiks Fare erdhi një ankesë nga qyteti i Kukësit ku pretendohej që një shtetas turk ushtronte profesionin e stomatologut pa licencë e diplomë. Gazetarët e Fiksit morën informacion lidhur me shtetasin turk nga Urdhri i Stomatologut ku u informuam që Hasan Ugur nuk ishte i licencuar për të punuar si stomatolog.

Gazetarët filmuan shtetasin turk ku bashkë me pronaren e klinikës punoni me dyer të mbyllura edhe pse me urdhër të përhershëm mbyllje nga Inspektoriati i Shëndetësisë. Pasi grupi i xhirimit vërtetoi me pamje filmike se të dy këta shtetas punoni në brendësi të klinikës , bashkëpunëtorja e Fiksit telefonon në sekretarinë e klinikës, por punonjësja i thotë që nuk janë aty. Njëkohësisht gazetarët kishin vënë në dijeni edhe inspektoratin dhe ishin në pritje të tij, por shtetasi turk dhe pronarja e klinikës kuptuan se jashtë ishin gazetarët e Fiksit. Ata fillua të mbyllnin qepenin e klinikës duke e komanduar nga brenda subjektit.

Në intervistën që gazetarët zhvilluan me krye inspektoren e Inspektoriatit Shëndetësor Kukës , ajo thotë se ky subjekt është mbyllur prej tyre para rreth 6 muajsh. Edhe atëherë ish e njëjta problematikë, pasi kur ata kishin shkua në klinikë për kontroll kanë qëndruar gati 12 orë dhe askush nuk e hapte derën. Të detyruar iu drejtuan krimit ekonomik dhe policisë, ku u pa se brenda në klinikë punohej sistematikisht në kundravajtje të plotë. Në këto kushte u bë bllokimi dhe materialet ju dërguan prokurorisë. “Ne që nga ai moment nuk ndërhyjmë dot më, pasi është prokuroria që po e heton rastin” shprehet kryeinspektoria.

Por jashtë gazetarët e Fiksit u gjetën para një situatë aspak miqësore dhe u përballën me pronaren e klinikës e cila edhe pse nuk ishte mjeke, pretendonte që ishte e licencuar. Sipas saj mjeku turk nuk ka punuar kurrë aty ndërkohë që pamjet filmike tregojnë të kundërtën . Ajo kërkon që grupi i xhirimit të Fiks Fare të largohet duke përdorur edhe ekonomistin e klinikës. Ky i fundit kërkon t’u marrë kamerën për të mos filmuar më ambientet jashtë të klinikës. Sipas saj tani ata e kanë shpërngulur biznesin në Kosovë. Fakti që ajo ishte sot aty ishte rastësi, pasi edhe kafja ngjitur me klinikën dentare është e të vëllait. Për shkak të situatës së acaruar në vendngjarje ndërhyri policia . Pasi u qetësuan palët, gazetarët të shoqëruar nga policia ju drejtuan prokurorisë së rrethit Kukës ku na informuam që çështja është akoma nën hetim.

InfoPasqyra/tch

Kategori