Fox News: Protestat në SHBA financohen nga milioneri i afërt me Partinë Komuniste Kineze
Fox News raporton se ndërsa përleshjet mes protestuesve dhe forcave federale të rendit vazhdojnë në Minneapolis, po del gradualisht në dritë financimi pas grupeve që nxisin trazira kundër Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Një nga mbështetësit financiarë të dyshuar të këtyre protestuesve është një përkrahës i Partisë Komuniste Kineze (PKK), i cili lidhet me një sërë organizatash me financime të errëta, të njohura për nxitjen e ekstremizmit të majtë radikal të ndikuar nga PKK në SHBA dhe në mbarë botën.
Më herët këtë javë, një hetim i Fox News Digital zbuloi se disa organizata po shërbejnë si zëra kryesorë në mobilizimin fizik të protestuesve në Minneapolis, si dhe po komunikojnë përmes disa kanaleve për t’i nxitur ata të dalin në rrugë në Minesota dhe qytete të tjera.
Dy nga grupet kryesore që dyshohet se kanë qenë pas lehtësimit dhe nxitjes së organizimit të protestuesve janë “Party for Socialism and Liberation” dhe “The People’s Forum”. Të dyja këto organizata financohen në masë të madhe nga ish-magnati amerikan i teknologjisë, Neville Roy Singham, sipas raporteve dhe hetimeve të Kongresit.
Megjithëse Singham është përballur me hetime federale prej dekadash, një ish-prokuror federal i tha Fox News Digital se zhvendosja e tij në Kinë e mbron praktikisht nga thirrjet zyrtare të autoriteteve amerikane.
Ndërsa trazirat përshkallëzohen në Minneapolis, hetuesit po zbulojnë një rrjet grupesh aktiviste të majta radikale, të cilat dyshohet se financohen nga një amerikan i pasur që jeton në Kinë dhe që ka lidhje të raportuara me përpjekje propagandistike të rreshtuara me Partinë Komuniste Kineze. Si rrjedhojë, Singham mbetet pothuajse i paprekshëm, ndërsa rrjetet e tij të financimeve të errëta vazhdojnë të shkaktojnë kaos në territorin amerikan, shtoi ish-prokurori.
Singham shiti kompaninë e tij të konsulencës IT në vitin 2017 për 785 milionë dollarë dhe u zhvendos në Shanghai. Ai ishte në qendër të një ekspozé të New York Times në vitin 2023, i cili zbuloi lidhjet e tij të dyshuara me PKK-në dhe përpjekjet e tij për të financuar grupe ekstremiste për të forcuar ideologjinë e tij radikale. Sipas gazetës, Singham ka kanalizuar mbi një çerek miliardë dollarë drejt organizatave me financime të errëta në SHBA, me pak ose aspak gjurmë financiare.
Qytetari amerikan 71-vjeçar, tashmë banor i Shangait, thuhet se ndan hapësira zyre me Maku Group, një kompani mediatike kineze e financuar nga Singham dhe e lidhur me propagandë pro-PKK, përfshirë misionin për të paraqitur pozitivisht historinë e Kinës.
Përplasja e parë e Singham me hetimet federale daton në vitin 1974, kur FBI e hetoi për mundësinë e përfshirjes në veprimtari të dëmshme për interesat e SHBA-së. Deri në vitin 2025, Singham dhe organizatat që ai ka financuar janë përballur me një sërë hetimesh nga disa komisione të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Kryetarë komisionesh u kanë dërguar letra zyrtarëve të lartë të administratave Biden dhe Trump, duke kërkuar hetime të mëtejshme mbi rrjetin e financimeve të errëta të Singham. Komisioni i Mbikëqyrjes i Dhomës së Përfaqësuesve, i drejtuar nga përfaqësuesi James Comer, nisi vitin e kaluar një hetim ndaj Singham për përfshirjen e tij të dyshuar në financimin e trazirave kundër ICE në Los Anxhelos.
Ligjvënësit kanë theksuar gjithashtu shqetësimin se Singham nuk është i regjistruar sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA), pavarësisht lidhjeve të tij të dyshuara me propagandë të huaj.
Sipas ish-prokurorit federal Andrew Cherkasky, është e vështirë të detyrohet një qytetar që ndodhet jashtë SHBA-së të paraqitet përpara Kongresit, megjithëse një ndjekje penale mund të çojë në ekstradim ose kthim të detyruar në vend. Cherkasky shtoi se protestat në Minneapolis nuk janë spontane, por të mbështetura nga organizata të koordinuara që bashkëpunojnë për të nxitur veprime që përfundojnë në shkelje të përsëritura ligjore.
