FMN: Tregu i pasurive të paluajtshme po nxehet, bankat duhet të jenë të kujdesshme
Rritja e përshpejtuar e kreditimit nga bankat shqiptare sinjalizon një fazë zgjerimi të ciklit financiar, e cila kërkon vigjilencë. Kështu u shpreh Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në dokumentin e fundit mbi rishikimin e marrëveshjes me Shqipërinë.
Normat e rritjes së kreditimit ishin dyshifrore në vitet 2023 dhe 2024, me një përshpejtim të veçantë në huadhënien për pasuri të paluajtshme. Megjithëse këto prirje mbështesin aktivitetin ekonomik afatshkurtër, ato ngrenë shqetësime për rrezikun sistemik ciklik dhe mbinxehjen e tregut të pasurive të paluajtshme, theksoi institucioni financiar ndërkombëtar.
Analiza tregon se sektori bankar shqiptar ka shfaqur përfitueshmëri dhe qëndrueshmëri të fortë. Kthimi mbi aktivet (RoA) dhe kthimi mbi kapitalin (RoE) të bankave shqiptare ishin mbi mesataret e tyre historike në vitet 2023 dhe 2024. Mjaftueshmëria e kapitalit në nivel sistemi mbetet e lartë, me raportin total të kapitalit mbi 19 për qind, dukshëm mbi kërkesën mesatare të përgjithshme për kapital.
FMN vë në dukje se fitimet e larta dhe aftësia e mirë e gjenerimit të kapitalit tregojnë se sektori bankar është i aftë të përballojë një rritje modeste të normës bazë të rezervës kundërciklike pa shkaktuar shtrëngim të tepruar të kreditimit apo rritje të kostove të huadhënies.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se mënyra se si Banka e Shqipërisë aktualisht vendos për shtesën kundërciklike të kapitalit për bankat është tepër e ngurtë dhe reagon me vonesë ndaj problemeve financiare. Sipas FMN-së, metodologjia aktuale bazohet kryesisht mbi humbjet e realizuara dhe jo mbi sinjale të hershme të stresit financiar që po krijohet në sistem.
Sipas rregullave në fuqi, Banka e Shqipërisë merr vendim për lirimin e shtesës kundërciklike vetëm pasi shfaqen shenja të forta të krizës, si rritja e kredive me probleme, humbje të bankave, gërryerje të kapitalit apo kufizime të kreditimit për shkak të mungesës së kapitalit. FMN thekson se këta tregues shfaqen zakonisht disa muaj pas nisjes së një episodi stresi financiar, çka do të thotë se mbështetja për sektorin bankar vjen relativisht vonë.
Në këtë kontekst, FMN rekomandon që Banka e Shqipërisë të rishikojë metodologjinë dhe ta bëjë atë më fleksibile, në mënyrë që të reagojë më herët kur shfaqen tensione në sistemin financiar.
Shqipëria ka ndërmarrë hapat e parë drejt kësaj mase në vitin 2025, duke vendosur për herë të parë një kërkesë kundërciklike pozitive për kapitalin e bankave: 0.25% nga qershori 2025 dhe 0.5% nga dhjetori 2025.
Dokumenti paralajmëron se rritja e shpejtë e kreditimit, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, po sinjalizon hyrjen e ekonomisë në një fazë zgjerimi të ciklit financiar. Kredia është rritur me ritme dyshifrore në vitet e fundit, e nxitur nga ndërtimi dhe turizmi.
Në këtë kontekst, FMN vlerëson se një masë kundërciklike e ndërtuar paraprakisht do të shërbente si mekanizëm mbrojtës jo vetëm ndaj rreziqeve të brendshme, por edhe ndaj goditjeve të jashtme, përfshirë luhatjet e kursit të këmbimit dhe përkeqësimin e kushteve financiare ndërkombëtare.
Bazuar në analiza historike, teste stresi dhe vlerësim ekspertësh, FMN sugjeron se një rezervë sigurie në intervalin 1–2% të kapitalit.
