Die. Sht 23rd, 2018

FOKUS – Ministrat e Punëve të Jashtme: Ballkani Perëndimor ka nevojë për më shumë bashkëpunim

LONDËR, 9 korrik // – Bashkëpunimi në fusha të ndryshme është qëllimi më i rëndësishëm për vendet e rajonit, thuhet në përfundimin e përbashkët të ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor të cilët u takuan sot në Londër në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, shkruan “European Western Balkan”.

Sot u zhvilluan dy sesion me pyetje ku në të parin me temën “Përmirësimi i prespektivës për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor”, ishin mbledhur ministrat e Punëve të Jashtme nga Shqipëria, Bosnja Hercegovina dhe Kosova, si dhe komisioneri Hahn dhe përfaqësues nga organizatat rinore.

Ndërsa në të dytin me tematikë “E ardhmja e Procesit të Berlinit”, ndodheshin ministrat e Jashtëm të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe anëtarë të sektorit civil.

Në fjalimin e tij, ministri shqiptar, Ditmir Bushati deklaroi se “forcimi i bashkëpunimit mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për çështjet e sigurisë është kusht thelbësor për adresimin me sukses të sfidave të përbashkëta”.

Ministri serb, Ivica Daçiç shprehu rëndësinë e bashkëpunimit, duke theksuar se “ka shumë probleme nga e kaluara, por kjo është diçka që nuk mund të riparohet tani, vetëm e ardhmja mund të rregullohet. Jemi të gatshëm të zgjidhim çështjet e marrëdhënieve me Prishtinën, si dhe çështjet e hapura me vendet e rajonit.”

Ministri maqedonas, Nikola Dimitrov ndjehet optimist para samitit të NATO-s në Bruksel, duke treguar rëndësinë e reformave dhe të shtetit të së drejtës. “Reformat janë të pamundura pa vullnet politik dhe ne e kami atë”, tha ai.

Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ripërsëriti rëndësinë e bashkëpunimit duke theksuar se “duhen më shumë përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për ta bërë atë më efektin, më efiçent dhe më të prekshëm nga qytetarët.

Në fund ministri boshnjak i Punëve të Jashtme, Crnadak në deklaratën e tij foli për përfundimin e reformave. “Shteti i së Drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë problemet kryesore për Bosnje Hercegovinën. Po vazhdojmë luftën kundër korrupsionit”, përfundoi ai. /G.S/

Aktualitet – Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kategori