Fond prej 100 milionë eurosh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot disa vendime të rëndësishme për sektorin e ekonomisë, të cilat synojnë mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe rregullimin e shfrytëzimit të hapësirave publike me një rregullore të re.
Pas përfundimit të mbledhjes, Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, qeveria ka miratuar një fond prej 100 milionë euro, i cili do të akordohet për AIDA-n.
“Do të eliminojmë shkresat dhe dokumentet në letër. Në një periudhë afatmesme, të gjitha dokumentet dhe firmat fizike do të eliminohen, duke e kthyer administratën në një sistem ‘paperless’,” theksoi ministrja.
Ajo shtoi se me rregulloren e investimeve të huaja, synohet mbyllja e pikave kyçe. Është miratuar krijimi i një bordi që do të shqyrtojë investimet e huaja nga vende jo anëtare të BE-së, fillimisht në sektorët e medias dhe mbrojtjes. Pas anëtarësimit të vendit në BE, bordi do të shtrijë kompetencën e tij në të gjithë sektorët.
“Ky është një portofol prej 100 milionë eurosh që do të akordohet për AIDA-n,” pohoi Ibrahimaj.
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi rregulloren e re për shfrytëzimin e hapësirave publike. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, shpjegoi se kjo rregullore do të sjellë risi në unifikimin e praktikave në nivel kombëtar dhe përmban specifikime të caktuara për përdorimin nga bashkitë.
“Kjo do të krijojë një platformë të re për menaxhimin e hapësirave publike, ku aktorët kryesorë për formalizimin e kësaj rregulloreje kanë qenë vetë bashkitë,” nënvizoi Demo.
