Fondi Social 2026: 14 shërbime të reja për nënat, të moshuarit

Fondi Social 2026: Kryeministri Rama prezanton 14 shërbime të reja për nënat dhe të moshuarit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në kuadër të eventit “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, prezantoi sot 14 shërbime të reja sociale. Në ceremoni mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama.

Fondi Social, gjatë vitit 2026, do të financojë 14 shërbime të reja, të cilat do të dedikohen për:

  • Fëmijët dhe nënat në nevojë
  • Fëmijët dhe të rriturit me aftësi ndryshe
  • Të moshuarit
  • Gratë dhe vajzat viktima të dhunës
  • Fëmijët pa kujdes prindëror

Nga këto, 12 shërbime të reja do të ofrohen në bashkitë Durrës, Përrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik dhe Kamëz. Dy shërbime të tjera të reja, Emergjenca dhe Linja Këshillimi për Fëmijë, do të ngrihen në nivel qarku.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama theksoi se sistemi i shërbimeve sociale ka pësuar një transformim rrënjësor në dekadën e fundit. Ai nënvizoi se Shqipëria sot mbështet në mënyrë të organizuar rreth 65 mijë individë, përmes një rrjeti institucionesh dhe shërbimesh në nivel qendror dhe vendor.

Kryeministri Rama theksoi se risia më e rëndësishme e këtij procesi është shtrirja e shërbimeve në nivelin vendor dhe përfshirja aktive e bashkive, si një garanci për qëndrueshmërinë dhe eficiencën e tyre.

“Çuarja përpara e këtij procesi nënkupton që të shkojmë përtej volumit dhe shifrave inkurajuese, sepse sot Shqipëria kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë. Ky nuk është vetëm një sistem financimi, por një sistem i organizuar institucionesh, pikash shërbimi, kujdestarësh dhe kështu me radhë,” – u shpreh ai.

Ai shtoi se është e rëndësishme të shtohet përfshirja e familjeve në sistemin e përkujdesjes sociale, duke theksuar nevojën për të gjetur mekanizma financimi, ku pushteti vendor luan një rol kyç. Ai inkurajoi kryetarët e bashkive të jenë aktorë kryesorë në bindjen e familjeve për t’u bashkuar në këtë përpjekje sociale dhe për t’u kushtuar atyre fonde të veçanta.

Kryeministri Rama theksoi se buxheti është rritur ndjeshëm, duke u bërë 6 herë më i lartë që nga fillimi i kësaj përpjekje dhe 17% më i lartë këtë vit. Megjithatë, ai vuri në dukje se buxheti nuk është i vetmi faktor zgjidhës.

“Prandaj, ne duhet ta thellojmë këtë proces decentralizimi, ta bëjmë më të konsoliduar dhe në të njëjtën kohë të rrisim cilësinë e jetës në strehët e kujdesit shoqëror. Kemi nisur një proces në Tiranë me transformimin e kushteve për jetimoren ‘Zyber Hallulli’, duke e kthyer atë në një fshat të përkujdesjes brenda qytetit. Me këtë frymë, është mirë të shohim bashkë me bashkitë edhe mundësi të tjera për të krijuar hapësira komunitare të rëndësishme përsa i përket kushteve dhe cilësisë,” – përfundoi Kryeministri Rama.

Scroll to Top