Mar. Tet 16th, 2018

“Forca e Ligjit”-Kontrolle intensive në Fier, 11 të shoqëruar

TIRANË, 11 tetor/ATSH- A. Fortuzi/-  “Forca e Ligjit” godet sërish. Komisariati i Policisë Fier në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, të mbështetura nga FNSH, kanë bërë kontrolle të befasishme në lokale, akse rrugore dhe ambiente të ndryshme.

Gjatë kontrolleve u shoqëruan për verifikim 11 persona kryesisht me precedent penal të dyshuar për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Vjedhje”. Si rezultat i kontrolleve, në një lokal në Zhupan, u kap me armë zjarri  shtetasi Aleksandër Hoxhaj, 37 vjeç, banues në Zhupan, i cili ishte shpallur në kërkim nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”.

Sapo ka parë policinë të hyj në lokal, shtetasi Aleksandër Hoxhaj ka hequr armën nga brezi dhe e ka hedhur nga dritarja e lokalit por falë veprimeve të shpejta të policisë u konstatua veprimi i tij dhe u arrestua në flagrancë.

Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi ju gjetën:15 paketime me lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa me peshë 43.5 Kg; 3 dokumente të falsifikuara: pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi automjeti në gjuhën Greke me foto të këtij shtetasi; Sende të ndryshme të dyshuara që përdoren për kryerjen e vjedhjeve: 2 matrapikë, 2 leva metalike, 1 maskë me ngjyrë të zezë, 1 palë dorashka, 1 tub metalik që shërben për hapjen e dyerve, 1 pincë etj; Sende që dyshohen se i ka vjedhur: 3 kompjuterë lap-top dhe 1 kasafortë metalike. 34 fishekë pistolete dhe automatiku.

Kontrollet do vijojnë në gjithë Qarkun e Fierit për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë. /j.p/

Kategori