Përgatitet ndërhyrje në Iran, forcat kurde pro-amerikane mobilizohen në veri të Irakut
Fraksionet kurde iraniane, të cilat kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe operojnë nga veriu i Irakut, po grumbullojnë njësi të armatosura me potencial për të kaluar kufirin drejt Iranit. Kjo situatë, sipas zyrtarëve irakianë dhe udhëheqësve të lartë kurdë, rrit mundësinë e hapjes së një fronti të ri lufte në një konflikt që tashmë po përhapet në të gjithë rajonin.
Këto përgatitje vijnë në kohën kur sulmet ajrore të koordinuara nga SHBA dhe Izraeli vazhdojnë të godasin objektiva ushtarake dhe qeveritare iraniane, përfshirë zonat pranë kufirit ku grupet kurde kanë qenë aktive prej kohësh.
Personat me njohuri për veprimtarinë e mëparshme të SHBA-së në rajon, tregojnë se CIA u ka furnizuar në të kaluarën këtyre grupeve kurde armë të vogla, si pjesë e një strategjie të fshehtë për t’i ushtruar presion Teherit. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënëses Karoline Leavitt, ka mohuar kategorikisht çdo raportim për miratimin e një plani të tillë nga Presidenti Donald Trump, duke i cilësuar si “plotësisht të pavërteta”.
Në Uashington, po zhvillohen diskutime mes zyrtarëve nëse një inkursion kurd mund të jetë efektiv në shpërqendrimin e forcave iraniane dhe krijimin e mundësive për sulme ajrore të koalicionit. Megjithatë, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë shprehin shqetësime, duke theksuar se luftëtarëve kurdë u mungojnë armatimet e rënda të nevojshme për të kërcënuar seriozisht qeverinë qendrore të Iranit. Gjithashtu, vlerësohet se shumica e popullsisë iraniane, veçanërisht iranianët e etnisë perse, nuk do të mbështeste një përparim të armatosur të udhëhequr nga kurdët.
Irani ka ushtruar presion ndaj Bagdatit për të penguar çdo lëvizje ndërkufitare, dhe autoritetet kurde irakiane kanë deklaruar publikisht neutralitetin e tyre. Pavarësisht kësaj, disa udhëheqës kurdë iranianë pohojnë se disa fraksione po përgatiten të veprojnë përtej kufirit. Ky vendim duket se është inkurajuar nga dëmet e konsiderueshme që sulmet amerikane dhe izraelite kanë shkaktuar në postblloqe kufitare, kulla komunikacioni dhe objekte të sigurisë në perëndim të Iranit. Imazhet satelitore dhe videot e verifikuara tregojnë shkatërtime të mëdha në qytete si Sanandaj, Marivan dhe Baneh.
Sipas zyrtarëve të sigurisë kurde dhe irakiane, Presidenti Trump ka zhvilluar bisedime kohët e fundit me udhëheqës të lartë kurdë irakianë, duke përfshirë Massoud Barzani dhe Bafel Talabani, për të diskutuar situatën. Një udhëheqës kurd iranian ka bërë të ditur se Trump ka zhvilluar gjithashtu një bisedë telefonike me Mustafa Hijri, kreun e Partisë Demokratike të Kurdistanit të Iranit, për të shqyrtuar mundësinë e dërgimit të luftëtarëve përtej kufirit. Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë komente lidhur me këto biseda.
Grupet kurde mbeten të përçara në qëndrimet e tyre. Disa udhëheqës shprehin shqetësim se afrimi tepër i ngushtë me Uashingtonin mund t’i vërë civilët kurdë në rrezik hakmarrjeje në rast dështimi të përpjekjeve. Të tjerë argumentojnë se konflikti aktual ofron një mundësi të rrallë, pas viteve të shtypjes nga forcat e sigurisë iraniane, sidomos në rajonet kurde që kanë qenë ndër më aktive gjatë protestave mbarëkombëtare të fillimvitit.
