Foshnjë e gjetur gjallë në tualet në Tajlandë

Foshnja e porsalindur gjendet e gjallë në tualet në Tajlandë, pastruesja e dëgjoi duke qarë

Një vajzë e porsalindur u gjet e gjallë më 15 nëntor në Bangkok, një ngjarje që tronditi publikun tajlandez.

Foshnja u zbulua nga një pastruese, teksa ajo po pastronte një tualet në katin e tretë të një ndërtese zyrash. Gruaja dëgjoi të qara dhe kur ngriti kapakun e rezervuarit të ujit, pa foshnjën e zhveshur, të zhytur në ujë, me duart e bardha dhe të rrudhura nga lagështia. Mendohet se fëmija ishte lënë aty disa orë pas lindjes.

Policia mbërriti në vendngjarje pak para orës 11:00, ndërsa foshnja u dërgua menjëherë në Spitalin Sirindhorn për kontroll mjekësor. Mjekët raportuan se foshnja peshonte rreth 2.7 kg dhe nuk kishte pësuar lëndime.

Këto raste kanë ngritur shqetësime për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në Tajlandë, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes.

Komandanti i stacionit lokal të policisë në Bangkok deklaroi për Daily Mail se vajza e porsalindur kishte qenë gjallë për më pak se një ditë dhe nuk kishte asnjë gjurmë të nënës. Ai shtoi se:

“Ne do të vazhdojmë hetimin për të zbuluar se kush e la foshnjën. Policia po shqyrton pamjet nga kamerat e sigurisë për të përcaktuar se kush e përdori tualetin.”

Sipas Kodit Penal të Tajlandës, prindërit ose kujdestarët që braktisin një të porsalindur mund të përballen me deri në tre vjet burg, një gjobë deri në 6,000 baht, ose të dyja.

Hetimet vazhdojnë për të zbuluar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të identifikuar personin përgjegjës.

Scroll to Top