Pre. Dhj 14th, 2018

FOTO / Liqeni i Ohrit, pasqyra natyrore ku bashkohet qielli me natyrën

TIRANË,11 tetor . – Rajoni i Liqenit të Ohrit ka vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore dhe ofron një peizazh mahnitës dhe potencial për aventura të jashtëzakonshme turistike.

Projekti “Drejt një qeverisjeje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të rajonit të Liqenit të Ohrit”, që zbatohet nga UNESCO dhe financohet nga Bashkimi Europian dhe Ministria shqiptare e Mjedisit, përqendrohet si në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ashtu dhe në atë të natyrës.

Projekti synon që të vërë në dukje vlerat e shumta të kësaj zone, por edhe trajtimin e kërcënimeve kryesore me të cilat ato përballen, përmes një qasjeje të zhvillimit të qëndrueshëm.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka shpërndarë disa foto mbresëlënese të liqenit të Ohrit.

Ai shprehet se, “grupi vlerësues i UNESCO-s ka përmbyllur vizitën e tij vlerësuese për dosjen që Shqipëria ka dorëzuar në shkurt të këtij viti, për ta listuar pjesën shqiptare të liqenit, si zonë të trashëgimisë natyrore dhe kulturore botërore”.

Liqeni i Ohrit

Në pikën më të lartë të tij, 2287 metra mbi nivelin e detit, vargmalet e Malit të Thatë ofrojnë pamje mahnitëse të dy liqeneve, Ohrit dhe Prespës.

Një tjetër mrekulli për historianët dhe entuziastët e natyrës është padyshim fshati i vogël Lin. I ndodhur në gadishullin kodrinor.

Disa shtigje të vogla ju çojnë në majë të gadishullit duke ju ofruar një pamje 360 gradë të liqenit dhe maleve. Çdo rrugicë të çon në aventura të ndryshme – diku një kishë e fshehur, një bunker i rrënuar, vreshta gjatë gjithë kodrës dhe më shumë se kaq.

Edhe pse e gjithë zona e liqenit të Ohrit, ofron mundësi pafund për eksplorim, kanë mbetur ende shumë shtigje dhe rrugë të pa shenjuara e pa tabela.

Vizitorët dhe turistët, para se të nisen për një udhëtim në këtë zonë, duhet të kalojnë nga qendra e informacionit në Tushemisht, ku mund të gjejnë harta dhe sugjerime për udhëtimin e tyre, këtë mund ta bëjnë dhe banorët lokalë. Brigjet e Liqenit të Ohrit, janë një mundësi e mirë turistike. /a.a/

Kategori