Hën. Dhj 17th, 2018

FOTO – Në lartësitë e Kelmendit ndizet oxhaku për vizitorët

TIRANË, 5 dhjetor / ATSH / – S’ka nisur akoma bora e vërtetë, por një shtresë e hollë e saj mbulon lartësitë e Kelmendit dhe fshatin Lëpushë. Rruga është e kalueshme për të gjitha automjetet dhe në bujtinat pritëse është ndezur oxhaku. Kështu thotë për ATSH-në pronari i bujtinës “Lëpusha”.

Janë disa fshatra në komunën Kelmend në Malësinë e Madhe në qarkun e Shkodrës, që me ndërtimin e rrugës së re me parametra të standardit europian, kanë filluar të vizitohen në masë nga turistët e huaj dhe ata vendas. Janë turistë që udhëtojnë me makina private apo me guidat turistike të organizuara.

Lepusha, e përzgjedhur në programin “100 fshatrat” në Malësinë e Madhe, ka potenciale të konsiderueshme për zhvillimin e turizmit dhe agrobiznesit.

Një vend i mrekullueshëm dhe me potencial zhvillimi të turizmit malor, për alpinizëm e rrëshqitje mbi borë.

Ky fshat në këto lartësi, dallon për nga peizazhi natyror si dhe nga investimet e bëra në fushën e turizmit. Janë disa shtëpi pritjeje (bujtina) që bëjnë të mundur strehimin e vizitorëve.

Emri Lepushë rrjedh nga një bimë barishtore me lule të verdha, që quhet Lepushtra, që rritet me shumicë në fshat.

Lepusha vlerësohet si bukuria e rrallë e natyrës së Kelmendit dhe si “perlë” e Alpeve shqiptare. Male të larta me bllokun shkëmbor të Shenikut në Bjeshkët e Namuna dhe malet përreth. Shquhet për kullotat e gjelbra dhe pyje e dendur që harbojnë gjatë stinës së verës.

Fshati laget përherë nga përroi i quajtur Sheu i Lepushës.

Bie kaq shume borë në dimër, saqë trashësia e saj ka arritur edhe 4 metra, thonë banorët dhe më e larta në vendbanimet shqiptare.

Dega kryesore e ekonomisë është blegtoria dhe pak bujqësi me kulturë pataten. Përpunimi artizanal i drurit është një tjetër burim ndihmës për ekonominë e banorëve. Së fundmi si ekonomi ndihmëse ka filluar edhe turizmi sidomos në stinën e verës, por së fundmi, me investimet e bëra në hoteleri, vizitorët e lartësive me borë nuk mungojnë as në dimër.
Lepusha është një vend i mrekullueshëm me potenciale për turizmin e natyrës dhe atë të aventurës.

Aty ndodhet një bujtinë që ka përshtatur komoditetin e saj për një turizëm gjithëvjetor. Fundjavat janë gjithmonë të rezervuara thonë pronarët e saj duke përmendur se agjenci të ndryshme nga shumë qytete të vendit i bëjnë prenotimet disa ditë para.

Kjo zonë edhe në dimër tërheq mjaft vizitorë e turistë të huaj. Janë kryesisht ata që pëlqejnë ngjitjet malore, aventurën, sportet e borës dhe natyralistët. Ditët e dhjetorit janë me diell dhe vizitorët e Kelmendit nuk mungojnë të ngjiten në lartësinë e miteve shqiptare. /n.lena//j.p/

Kategori