Mër. Nën 21st, 2018

FOTO- Shëtitorja e Dhërmiut, projekti që ka transformuar plazhin në bregdetin e Jugut

Himarë, 9 korrik/-Harilla Koçi/ – Shëtitorja e bregdetit të Dhërmiut, një prej investimeve të fundit të realizuara në bashkinë e Himarës, e ka transformuar plotësisht plazhin në këtë pjesë të bregdetit të Jugut, një ndër hapësirat më atraktive të turizmit në Shqipëri.

Efektiviteti i këtij projekti, të realizuar me financim të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, po reflektohet gjatë këtyre javëve dhe veçanërisht në ditët e para të muajit korrik, kur fluksi i pushuesve vendas dhe turistëve të huaj, ka shënuar rritje të dukshme.

E tillë është atmosfera edhe gjatë këtyre ditëve. Mijëra pushues nga zona të ndryshme të vendit dhe turistë të huaj, frekuentojnë plazhet përgjatë këtij bregdeti, ndërkohë që në orët e mbrëmjes zgjedhin të shëtisin përgjatë shëtitores, ku ofrohen mundësi të shumta argëtimi e çlodhjeje.

Pushues që frekuentojnë Dhërmiun prej vitesh, shprehen se shëtitorja e ka transformuar tërësisht plazhin jo vetëm në planin estetik, por edhe në atë funksional.

“E shijoj shumë këtë pamje të re të këtij plazhi të mrekullueshëm. Shëtitorja e ka shndërruar në një mjedis mjaft modern”, shprehet Andueni, një 35-vjeçar nga Tirana, që vjen këtu çdo verë, prej së paku 10 vitesh.

Përgjatë gjithë plazhit, nga ish-kampi deri në skajin jugor tek “Pastarela”, shëtitorja e realizuar me gurë dekorativë, e ndarë në dy nivele, me gjelbërim në përshtatje me mjedisin natyror të zonës, i ka dhënë një dimension më atraktiv gjithë kësaj hapësire të mrekullueshme.

Turistë të huaj, nga vende të ndryshme, si Polonia, Rusia, Çekia, Italia, Gjermani, Franca, Ukraina, Bjellorusia, Maqedonia, shqiptarë nga Kosova, kanë zgjedhur të pushojnë dhe të shijojnë detin e mrekullueshëm të Jonit dhe gjithçka ofron natyra dhe njerëzit, në këtë pjesë të Bregdetit të Jugut të Shqipërisë.

Në orët e mbrëmjes, shëtitorja është plot dhe po ashtu edhe lokalet përgjatë saj. Ky është tregues i drejtpërdrejtë i këtij projekti, që nisi vetëm pak muaj më parë, për t’u shndërruar në një realitet të këndshëm për pushuesit, banorët e zonës dhe operatorët e shumtë turistikë.

Aktualisht, në bashkinë e Himarës, janë në process apo kanë përfunduar projekte me vlerë të përgjithshme prej rreth 8 milionë euro, të cilat janë të orientuara tërësisht tek turizmi.

Mes tyre përfshihen edhe projektet e rijetëzimit të fshatrave Dhërmi e Vuno, si edhe ndërtimit të shëtitores së plazhit të Jalës.

Impakti i investimeve të realizuara deri tani në këtë Bashki, pritet të reflektohet te numri i turistëve vendas dhe të huaj. Drejtuesit e bashkisë janë mjaft optimistë për shifra në rritje, krahasuar me sezonin paraardhës.

Kryebashkiaku Jorgo Goro, thotë për ATSH-në se, pritshmëritë janë tepër pozitive për këtë sezon.

Dhe, këtu, sipas tij, kanë ndikim të drejtpërdrejtë investimet e realizuara 3-4 vitet e fundit./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Kategori