Franca drejt kufizimit të rrjeteve sociale për të miturit, Macron: Truri i fëmijëve nuk është në shitje!
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me përdorimin e rrjeteve sociale nga personat nën moshën 15 vjeç. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale dhe një video nga BFM-TV, Macron paralajmëroi se Franca po synon të ndalojë aksesin në mediat sociale për fëmijët nën këtë moshë.
Sipas tij, mesatarisht një adoleshent kalon rreth 4 orë e 20 minuta në ditë para ekranit, një shifër që ai e konsideroi “të çmendur”, duke theksuar se në shumicën e rasteve përmbajtja nuk monitorohet nga prindërit.
“Ne nuk mund t’ua delegojmë vetëm prindërve këtë përgjegjësi – dhe shpesh edhe presionin për të vendosur nëse në moshën 12-vjeçare, është ide e mirë apo e keqe t’ia dorëzosh praktikisht trurin platformave,” tha ai.
Presidenti francez e cilësoi kufizimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç si një masë thelbësore për mbrojtjen e tyre, duke theksuar se kjo nuk ka të bëjë vetëm me edukimin, por me shëndetin mendor dhe emocional të brezave të rinj.
Në këtë kuadër, Macron njoftoi se i ka kërkuar qeverisë të përdorë një procedurë të përshpejtuar legjislative, me qëllimin që projektligji të miratohet nga Parlamenti dhe Senati para fillimit të vitit të ardhshëm shkollor, në shtator.
“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje. Emocionet e tyre nuk janë në shitje dhe as për t’u manipuluar – as nga platformat amerikane, as nga algoritmet kineze,” u shpreh ai.
Autoritetet synojnë që masat të hyjnë në fuqi në fillim të vitit shkollor 2026 për llogaritë e reja. Franca do të bëhej vendi i dytë që vendos një ndalim të tillë, pas Australisë, e cila së fundmi ndaloi mediat sociale për ata nën 16 vjeç.
