DW: Pse Franca synon të vendosë një ndalim të tillë?
Ligjvënësit në Asamblenë Kombëtare të Francës miratuan ditën e djeshme një projektligj që synon të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 15 vjeç. Projektligji mori 116 vota pro dhe 23 kundër. Tani, legjislacioni do të shkojë përpara në Senat, dhomën e sipërme të parlamentit.
Presidenti Emmanuel Macron ka shprehur mbështetjen e tij për këtë ndalim, duke theksuar nevojën për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët francezë nga ekspozimi i tepërt ndaj ekraneve. Ai e përshëndeti votimin si një hap i rëndësishëm, duke deklaruar në një postim në platformën X se “truri i fëmijëve tanë nuk është në shitje. As për platformat amerikane, as për rrjetet kineze.”
Çfarë parashikon projektligji?
- Projektligji propozon ndalimin e aksesit në rrjetet sociale dhe funksionalitetet e tyre të integruara në platforma më të gjera për personat nën 15 vjeç.
- Megjithatë, ky ndalim përjashton enciklopeditë online dhe platformat edukative.
- Platformat do të jenë të detyruara të zbatojnë mekanizma efektivë të verifikimit të moshës për të parandaluar aksesin e të miturve.
- Legjislacioni gjithashtu zgjeron ndalimin ekzistues të përdorimit të telefonave inteligjentë në shkollat fillore, duke e shtrirë atë edhe për shkollat e mesme.
- Autoritetet synojnë që këto masa të hyjnë në fuqi nga fillimi i vitit shkollor 2026 për llogaritë e reja.
Pse Franca dëshiron të vendosë një ndalim të tillë?
Franca do të bëhet vendi i dytë që vendos një masë të tillë, pas Australisë, e cila kohët e fundit ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Me rritjen e përdorimit të mediave sociale, janë shtuar shqetësimet lidhur me kohën e tepërt kaluar para ekraneve dhe ndikimin negativ të tyre në zhvillimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve.
Agjencia Franceze për Sigurinë Ushqimore, Mjedisore dhe të Punës (ANSES) ka vënë në dukje në fillim të këtij muaji se platforma të tilla si TikTok, Snapchat dhe Instagram kanë pasur efekte të dëmshme tek adoleshentët, veçanërisht tek vajzat. Rreziqet e raportuara përfshijnë ngacmimin kibernetik dhe ekspozimin ndaj përmbajtjes së dhunshme.
Mbështetje e gjerë për ndalimin
Duket se ekziston një mbështetje e gjerë në Francë për kufizimin e aksesit të të miturve në mediat sociale. Një sondazh i publikuar në vitin 2024 nga Harris Interactive tregon se 73% e publikut mbështet një ndalim të tillë për personat nën 15 vjeç.
“Me këtë ligj, ne vendosim një kufi të qartë në shoqëri dhe themi se mediat sociale nuk janë të padëmshme,” u shpreh ligjvënësja e qendrës Laure para dhomës gjatë prezantimit të projektligjit. “Fëmijët tanë po lexojnë më pak, po flenë më pak dhe po e krahasojnë veten me njëri-tjetrin më shumë. Kjo është një betejë për mendje të lira.”
Ligjvënësi i ekstremit të djathtë Thierry Perez e ka cilësuar projektligjin si një përgjigje ndaj një “emergjence shëndetësore”. Ai shtoi: “Mediat sociale u kanë lejuar të gjithëve të shprehen, por me çfarë kostoje për fëmijët tanë?” / DW
