Ministri i Jashtëm francez: Operacionet ushtarake amerikane në Karaibe shkelin ligjin ndërkombëtar
Franca shpreh shqetësim për operacionet ushtarake amerikane në Karaibe, duke argumentuar se ato bien ndesh me ligjin ndërkombëtar. Këtë deklaratë e bëri të martën ministri i jashtëm francez, Jean-Noel Barrot.
Ushtria amerikane ka kryer deri më tani të paktën 19 sulme kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në rajonin e Karaibeve dhe pranë brigjeve të Paqësorit të Amerikës Latine, duke rezultuar në vdekjen e të paktën 76 personave.
“Ne i kemi ndjekur me vëmendje dhe shqetësim operacionet ushtarake në rajonin e Karaibeve, pasi ato shkelin ligjin ndërkombëtar. Për më tepër, Franca ka një prezencë të rëndësishme në këtë rajon përmes territoreve të saj jashtë shtetit, ku banojnë më shumë se një milion bashkatdhetarë tanë”, u shpreh Barrot në margjinat e samitit të ministrave të jashtëm të Grupit të Shtatë (G7) në Kanada.
Ai shtoi se:
- “Prandaj, ata (bashkatdhetarët tanë) mund të preken nga paqëndrueshmëria e shkaktuar nga çdo përshkallëzim, të cilin ne, sigurisht, duam ta shmangim.”
Zyrtarët amerikanë njoftuan të martën se aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, Gerald Ford, është dërguar në rajon. Kjo masë shton tetë anije luftarake, një nëndetëse bërthamore dhe avionë F-35, të cilët tashmë ndodhen në Karaibe.
Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, ka deklaruar vazhdimisht se përqendrimi i forcave amerikane në rajon synon ta largojë atë nga pushteti.
