Pre. Kor 20th, 2018

Francë-Belgjikë, sot përballja për një biletë finaleje

Botërori i Rusisë ka arritur në fazat finale të tij. Sot në mbrëmje në Shën Petersburg do të luhet ndeshja e parë gjysmëfinale e evenimentit; ajo mes Francës dhe Belgjikës.

Kjo është sfida mes dy skuadrave me sulmin më të mirë të Botërorit. Franca vjen në këtë ndeshje pasi ka fituar 4 nga 5 ndeshjet e zhvilluara deri tani, ndërsa Belgjika ka njohur vetëm shijen e fitores. Nga njëra anë janë Mbappe, Griezmann e Giroud, ndërsa në krahun tjetër Lukakun, Eden Hazard dhe mesfushorë të tjerë që kanë thuajse të njëjtën rrezikshmëri për portën kundërshtare.

Sa u përket formacioneve, Didier Deschamps me shumë mundësi do të aplikojë skemën 4-2-3-1 me Lloris në portë, Pavard, Varane, Umtiti e Hernandez në mbrojtje në qendër të mesfushës janë Pogba e Kante, ndërsa Mbappe, Griezman e Matuidi pritet të jenë në mbështetje të Giroud.

Te Belgjika, Martinez do të përgjigjet me skemën 3-4-2-1 me Courtois në portë; Aldervajerld, Kompany e Vertonghen në mbrojtje. Në mesfushë Carrasco do të luajë në vend të Meunier të skualifikuar së bashku me Fellainin, Vitsel e Chadli. De Brëjne dhe Hazard do të jenë në mbështetje të Lukakut.

Ai që do ta përjetojë në mënyrë të veçantë këtë ndeshje është Thierry Henry, i cili është pjesë e stafit të Belgjikës, për të ndihmuar në mënyrë të veçantë sulmuesit për shënimin e golave.

Henry do të jetë përballë Francës së tij me të cilën u shpall kampion bote në 1998 dhe kampion Evrope në 2000. Ndeshja mes Francës dhe Belgjikës do të arbitrohet nga uruguajani Andres Cunha.

InfoPasqyra/tch

Sport – Top Channel