Fregata gjermane F126: Vonesa, probleme dhe kosto e lartë

Projekti ambicioz i Gjermanisë: Berlini synon ndërtimin e fregatave më të mëdha luftarake në botë

Gjermania ka nisur ndërtimin e fregatave më të mëdha luftarake në botë. Projekti, i koduar F126, tashmë ka filluar me anijen e parë, “Niedersachsen”, e cila është në proces ndërtimi. Ky projekt, i konsideruar si më madhor në historinë e marinës gjermane, po përballet me vonesa të konsiderueshme, të cilat mund të arrijnë deri në katër vite. Fillimisht, parashikohej që fregata të dislokohej në Atlantikun e Veriut deri në vitin 2029, por zhvillimet aktuale sugjerojnë një shtyrje të dukshme të këtij afati.

Fregata F126 dallohet nga anijet luftarake tradicionale për konceptin e saj si një platformë fleksibile dhe shumëfunksionale. Ajo bazohet në një sistem modular, duke mundësuar përshtatje për misione të ndryshme, si lufta kundër nëndetëseve, operacionet e forcave speciale apo përdorimi i dronëve. Me një peshë prej rreth 10 mijë tonësh, kjo fregatë renditet mes më të mëdhave në botë dhe ofron kapacitete të avancuara për teknologjitë moderne, operimin e helikopterëve dhe sistemeve pa pilot. Dizajni i saj synon mbështetjen e misioneve afatgjata, duke mundësuar qëndrimin deri në dy vjet në operacion me ndërrim ekipazhesh, duke u fokusuar më shumë në mbikëqyrje dhe komandim operacionesh sesa në luftimet e drejtpërdrejta.

Paralelisht, Gjermania po konsideron edhe fregatën shumëfunksionale Meko A-200 (F128), për të cilën planifikohet blerja e të paktën katër njësive.

Konkurenca globale në fushën detare po intensifikohet. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar zhvillimin e një gjenerate të re anijesh luftarake, të njohura si “Trump Class”, të cilat pritet të jenë më të mëdhatë dhe më të armatosurat deri më tani. Anija e parë e këtij lloji, “USS Defiant”, parashikohet të ndërtohet në fillim të viteve 2030 dhe do të integrojë teknologji të avancuara si armë lazer dhe sisteme hipersonike.

Megjithatë, projekti F126 i Gjermanisë është ndeshur me probleme serioze teknike dhe organizative, veçanërisht në fushën e teknologjisë së informacionit. Mbikëqyrja fillestare e projektit nga një kompani holandeze ka hasur vështirësi në koordinimin dhe transferimin e të dhënave mes palëve, duke shkaktuar vonesa të mëdha. Në vitin 2025, drejtimi i projektit i është kaluar një grupi gjerman të ndërtimit të anijeve, ndërsa pritet mbështetje shtesë nga industria e mbrojtjes vendase për të përshpejtuar punimet.

Ekspertët vlerësojnë se, në rastin më optimist, fregata e parë mund të jetë gati rreth vitit 2031. Megjithatë, ata paralajmërojnë edhe për një rritje të konsiderueshme të kostove, duke e kthyer këtë projekt nga një ambicie strategjike në një sfidë të madhe për industrinë gjermane të mbrojtjes.

Scroll to Top