Hën. Nën 19th, 2018

Frikë nga pickimet gjatë pushimeve? Këshilla e mjekëve: Merrni me vete kremin kortizonik

Nuk ka rëndësi a zgjidhni të pushoni në det, apo në mal, por para se të niseni kaloni nga farmacia e lagjes për të patur me vete një krem kortizonik për çdo rast pickimi nga insektet. Është kjo këshilla e mjekëve dermatolog që në këtë ditë të nxehta të fillimit të korrik duket se kanë patur shumë punë.
Doktoresh Violeta Dajçi, Dr. e shkencave mjekësore në dermatologji thotë se ka një trend në rritje të urgjencave. Alergjitë dhe reaksionet nga pickimi i insekteve bëhen mjaft të shpeshta gjatë kësaj stine, dhe përfshijnë kryesisht pickimet nga bletët, grerëzat, akrepat dhe milingonat e zjarrit.

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, bën me dije se jo të gjithë njerëzit janë alergjikë ndaj pickimit të insekteve dhe në rastet kur janë, shkalla e shprehjes është e ndryshme. Sipas saj këto reagime mund të fillojnë nga reaksionet e lehta të lëkurës me skuqje, ënjtje, dhimbje të buta, e deri tek forma më e fortë e reaksionit ndaj helmeve të insekteve, siç është shoku anafilaktik. Mjekja thekson se në përgjithësi meshkujt rezultojnë të jenë më të ndjeshëm se femrat ndaj reaksioneve alergjike të pickimit.

Kjo për shkak të ekspozimit më të madh të tyre ndaj insekteve, se sa ndodh tek femrat. Për të shmangur ndërlikimet e rënda që mund të sjellin këto alergji, duhet që në asnjë rast të mos neglizhohet marrja e ndihmës së shpejtë mjekësore. Në vijim të shkrimit mjekja ndalet në identifikimin e simptomave që shfaqin këto reaksione alergjike, si dhe hapat për vendosjes e diagnozës së saktë, në mënyrë që trajtimet të jenë sa më efikase.

Cilat janë llojet e reaksioneve të pickimit të insekteve?
Siç e theksuam edhe më lart, shumica e reaksioneve të pickimit të insekteve nuk janë alergjike dhe rezultojnë të prekin vetëm vendin e pickimit. Në përgjithësi në këto raste nevojitet vetëm trajtimi lokal për të lehtësuar simptomat.

E rëndësishme është që menjëherë pas pickimit të dezinfektohet zona dhe të aplikohen kompresat me akull për të parandaluar infeksionin (inflamacionin). Reaksionet më të mëdha lokale mund të përfshijnë zgjerim të zonës së skuqur dhe të ënjtur (në vendin e pickimit) dhe që mund të zgjasin 48 orë deri në një javë dhe që mund të shoqërohen me të përziera dhe të vjella. Këto reaksione të mëdha lokale ndodhin në rreth 10 për qind të pickimit të insekteve dhe nuk janë alergjikë në origjinë. Jo rrallë vendi i pickimit të insektit infektohet duke bërë të domosdoshëm përdorimin e antibiotikëve lokalë, por edhe në rrugë të përgjithshme. Reaksionet sistemike, pra që gjeneralizohen në të gjithë trupin janë reagime alergjike dhe ndodhin tek njerëzit që kanë zhvilluar antitrupa kundër helmit të insekteve nga një ekspozim paraprak.

Cilat janë shenjat kryesore të alergjisë ndaj pickimit të insekteve?
Reagimi alergjik ndaj një insekti ndryshon nga personi në person, kjo për shkak të ndryshueshmërinë së reagimeve që jep sistemi imunitar në persona të ndryshëm. Simptomat e një reaksioni alergjik mund të përfshijnë kruajtje, djegie, ose ndjesia e shpimit, të përziera, të vjella, si edhe mbushje të trupit me pulla të kuqe të ngritura mbi lëkurë (urtikariet). Reaksioni alergjik me serioz quhet anafilaksi, i cili mund të rezultojë edhe fatal. Shenja të një reaksioni të rënde alergjik janë vështirësia në frymëmarrje, vështirësia në gëlltitje, enjtja e gjuhës, si edhe marrje mendsh. Këto lloj reaksionesh ndodhin zakonisht brenda minutave të para pas pickimit, por janë të njohura edhe reaksionet e vonuara deri në 24 orë. Në këto raste të mbetet thelbësor trajtimi i menjëhershëm dhe në shumicën e rasteve nevojitet ndihma emergjente. Shumica e njerëzve nuk janë alergjike ndaj pickimeve të tilla dhe shumica e pickimeve rezulton me reaksione lokale. Nëse dihet që jeni alergjik ndaj këtyre insekteve duhet të ruheni, pasi pickimi i ardhshëm ka shumë të ngjarë që të prezantohet në një formë më të ashpër sesa pickimi i mëparshëm. Periudha më e shpeshtë mbetet vera dhe vjeshta, ku personat që janë më të ekspozuar ndaj insekteve paraqesin risk më të lartë për t’u prekur nga këto alergji.

Si përcaktohet diagnoza?
Prania e shenjave dhe e simptomave të një reaksioni alergjik shoqëruar edhe me shenjën e pickimit, zakonisht është e mjaftueshme për të përcaktuar diagnozën e një reaksioni alergjik.
Për të përcaktuar llojin e reaksionit, si edhe helmin specifik të insektit që ka shkaktuar alergjinë, janë të domosdoshme teste të gjakut, si edhe teste specifike të lëkurës .Këto dy lloj testesh janë të nevojshme për të përcaktuar nëse keni alergji ndaj llojeve të veçanta të insekteve.

Testimi i lëkurës përfshin vendosjen e mostrës së helmit të insekteve në sipërfaqen e lëkurës (nëpërmjet shpimeve të lehta në sipërfaqen e saj) dhe vëzhgimin e zonës përkatëse për shenjat e një reaksioni alergjik. Ndërsa, testimi i gjakut përfshin një test, i cili përcakton sasinë e antitrupave specifike “IgE” në gjakun e pacientit.

Si mund të trajtohen?
Trajtimet e urgjencave alergjike duhet të bëhen nga të gjithë mjekët që marrin kontaktin e parë me pacientët, pasi në jo pak raste koha nuk pret. Kjo çon në detyrimin që të gjithë mjekët duhet të jenë të përgatitur për të dhënë ndihmën e parë në këto raste. Më pas, sipas rastit këta pacientë do të transportohen në qendrat e specializuara për të marrë trajtimin e duhur, si edhe do të konsultohen për ekzaminime dhe trajtime të hollësishme nga mjekët specialistë alergologe apo imunologë.

Po personat që e dinë se janë alergjikë, çfarë këshillash duhet të ndjekin?
Nëse e dini qe jeni alergjikë ndaj pickimeve të ndryshme duhet të bëni shumë kujdes që t’i shmangni ato. Përshembull është e rëndësishme që kur të dilni për shëtitje në pyll duhet të jeni të veshur me mëngë të gjata, si edhe pantallona të gjata. Duhet të shmangni veshjet me ngjyra të ndritshme, të cilat tërheqin insektet që kërkojnë nektarin. Po ashtu duhen shmangur ushqimet që kane erëra të forta dhe pikante, parfumet dhe spraje të ndryshme të flokëve, pasi mund të shërbejnë si burim për tërheqjen e insekteve të ndryshme. Mund të mbani me vete pomada antialergjike, si edhe solucione dezinfektonte për të vepruar menjëherë në vendin e pickimit.

Po për rastet më të rënda si duhet të jetë trajtimi?
Natyrisht nëse reaksionet nuk janë të lehta trajtimet lokale nuk mjaftojnë. Nëse përgjigja lokale merr përmasa të mëdha duhet të paraqiteni menjëherë tek mjeku më i afërt. Përveç trajtimit të urgjencës është e rëndësishme që të gjithë njerëzit që kane pasur një reagim të rëndësishëm të vlerësohen nga specialistet e alergjisë për trajtimin e mundshëm me imunoterapi, e cila ka rezultuar pothuajse 100 për qind efikase. Ky lloj trajtimi përfshin zakonisht dhënien e dozave minimale në rritje graduale përgjatë 10-20 javëve të toksinave të insekteve. Terapia përsëritet pastaj çdo 4 deri ne 8 jave dhe pastaj pas afro 3 deri ne 5 vjet rezulton e suksesshme. Kjo terapi u siguron mbrojtje afatgjatë shumicës së njerëzve. Rreziku i reaksioneve të padëshiruara nga kjo terapi është minimale (më pak se 0.2 për qind) dhe deri tani nuk janë raportuar raste vdekjeje. Gjithsesi imunoterapia mbetet trajtimi më i zgjedhur për të parandaluar reaksionet e fuqishme alergjike nga pickimi i insekteve të ndryshme.

Problematika me mushkonjat
Gjatë stinës së verës, sëmundjet dhe shqetësimet që shkaktohen nga artropodet dhe veçanërisht nga insektet, përbëjnë një problem të rëndësishëm për shëndetin publik.
Insektet ndikojnë mbi popullatën jo vetëm me bezdisjen dhe shqetësimet që ato mund të japin në zonat turistike, por edhe me rolin e tyre në transmetimin e sëmundjeve të rëndësishme.

Insektet që shqetësojnë më shumë njerëzit gjatë sezonit veror janë mushkonjat. Ato (Culicidae, Diptera) janë insekte fluturuese me dy krahë dhe përfshijnë rreth 2000 lloje në të gjithë globin.

Mushkonjat gjenden që nga zonat e ulëta deri në majat e larta të maleve, kanë krahë të gjata, të holla e me degëzime të larmishme.

Mushkonjat kur pickojnë injektojnë pak nga lëngu i gjëndrave të pështymës në plagën që hapin.

Disa prej tyre janë në gjendje të injektojnë mikroorganizma infektuese dhe të transmetojnë kështu sëmundje të ndryshme, si: Malarien, Ethet e Nilit Perëndimor Chikungunjen, Ethet e Verdha, Ethet Dengue, Filariozen, etj.

Për kontrollin e tyre kanë rëndësi një seri masash, të cilat janë të lidhura me mjedisin ku ato rriten, si për shembull eliminimi i ujërave të ndenjura, kontrolli dhe eliminimi gomave të përdorura, eliminimi i mbeturinave dhe plehrave, pastrimi i kanaleve, etj.

E rëndësishme është vendosja e barrierave fizike për të reduktuar infektimin e mjediseve të brendshme të banesave dhe veshjeve, dhe sidomos edukimi i popullatës, pushtetit lokal dhe bizneseve. Dezinfektimi është një proces i rëndësishëm dhe efikas, sidomos kur zbatohet me përpikmëri së bashku me masat e mësipërme.

Masat për të reduktuar rrezikun e pickimit nga mushkonjat
Mushkonjat kalojnë një pjesë të ciklit të zhvillimit të tyre në ujë përpara se të dalin në fluturim.

Në kushtet dhe stinën aktuale, me një verë të nxehtë dhe të lagësht, e cila është mjaft e përshtatshme për zhvillimin e mushkonjave, po japim disa rekomandime për të kontrolluar zhvillimin e larvave të tyre:

Eliminimi i ujërave të ndenjura në banesa, bodrume dhe përreth tyre, dhe ndërhyrja e pushtetit lokal në lidhje me to.
Eliminimi i pjatave e vazove të luleve, dhe nëse nuk është e mundur heqja e tyre nga përdorimi, duhet të evitohet lënia e ujit për një kohë të gjatë në to.
Derdhja e vazove, kanaçeve, apo kontenierëve të tjerë që mund të mbajnë ujë të ndenjur.
Pastrimi i shpeshtë i pusetave dhe i zonave të shkarkimit të ujërave të tyre.
Mbyllja e depozitave të ujërave me kapak.
Shatërvanët dhe akuariumet dekorative, në mjediset publike dhe shtëpiake, duhet të mbahen të pastra duke futur në to peshq të kuq (të cilët hanë larvat e mushkonjave).
Zbrazja dhe pastrimi i shpeshtë i enëve ku hanë ushqim dhe pinë ujë kafshët shtëpiake.
Eliminimi i gomave të përdorura (duke qenë se përbëjnë vendgrumbullim të përshtatshëm për vezët e mushkonjave) dhe evitimi i mbushjes së tyre me ujë.
Eliminimi i vend-depozitimit të vezëve të mushkonjave, pellgjeve dhe gropave me ujë që krijohen gjatë punimeve të ndërtimit të godinave në zonat urbane, ose trajtimi i tyre me larvicid nga ana e subjekteve ndërtues.
Ruajtja e një mjedisi të pastër dhe eliminimi i plehrave.
Vendosja e rrjetave kundër mushkonjave në dritare dhe dyer në banesa, hotele, ambiente publike, shkolla, kopshte, çerdhe, spitale dhe institucione publike, për të evituar infektimin e mjediseve të brendshme.
Reduktimi i aktivitetit në mjediset e jashtme, sidomos për fëmijët, në orët e pikut të aktivitetit të mushkonjave, mëngjes dhe mbrëmje, mund të ndihmojë gjithashtu në shmangien e pickimeve.
Në disa raste mund të përdoren edhe repelentë biologjikë (krem, ose sprai kundër mushkonjave) në bazë të rekomandimeve të përshkruara në etiketë
Media Sociale
(ed.me/InfoPasqyra/BW)

Kategori