Gara e Gjermanisë për Talentet Globale në Arsim

Studentë nga bota drejt Europës? Gara për talentet globale

Prej vitesh, gjithnjë e më shumë studentë të huaj po ndjekin universitetet në Gjermani. Kjo për shkak të cilësisë së lartë të arsimit dhe tarifave të shkollimit që janë pothuajse falas.

Në krahasim, arsimi i lartë në SHBA është një biznes shumë më i madh dhe dukshëm më i shtrenjtë, thotë Karin Fischer nga Universiteti Berkeley i Kalifornisë. Ajo thekson: “Diploma e një universiteti amerikan është një nga eksportet më të mëdha që kanë Shtetet e Bashkuara, gjë që është interesante të mendosh në këtë kontekst, kur zhvillohen gjithë këto debate rreth importeve, eksporteve dhe tarifave.”

Sipas Wido Geis-Thöne nga Instituti i Ekonomisë Gjermane në Këln, “Gjermania mund të përfitojë qartazi nga emigracioni amerikan. Si rezultat kemi një numër më të lartë studentësh, që duan të studiojnë jashtë, janë në gjendje të studiojnë në universitetet amerikane, por po kërkojnë alternativa të tjera.”

Nevojat në tregun gjerman për specialistë

Më e rëndësishme se numri i studentëve është se sa prej tyre qëndrojnë në vend dhe hyjnë në tregun gjerman të punës, i cili ka nevojë urgjente për punonjës të kualifikuar. Andreas Schleicher nga OECD, drejtor për edukimin dhe kualifikimin, thekson se “Evropa është qartësisht më e fortë në zhvillimin e talenteve… por Shtetet e Bashkuara janë shumë më të afta në shfrytëzimin e mirë të talentit. Kjo është sfidë për Evropën. Tregu i punës është ende shumë i izoluar dhe i ngurtë në krahasim me SHBA-në. Atje, tregu i punës e ka më të lehtë të kuptojë ku është talenti dhe pastaj ta shfrytëzojë atë më mirë.”

Garë ndërkombëtare për talente dhe specialistë

Megjithatë, Evropa dhe Gjermania kanë kapur ritmin në vitet e fundit dhe kanë bërë disa ndryshime reale. Shifrat e pasqyrojnë qartë këtë. Wido Geis-Thöne vë në dukje se “rreth 45 për qind e atyre që vijnë në Gjermani si studentë ndërkombëtarë, janë ende këtu dhjetë vjet më vonë. Kjo është kuota më e lartë, pak përpara Kanadasë dhe shumë më e lartë se në shtetet e tjera anëtare të OECD-së.”

E ardhmja demografike e Gjermanisë varet nga këto talente. Deri në vitin 2030, vendit do t’i mungojnë dy milionë punonjës të kualifikuar. Dhe universitetet janë porta drejt fuqisë punëtore.

Tani, edhe programi më prestigjioz i shkëmbimit në Amerikë, Programi Fulbright, një bursë ndërkombëtare për promovimin e paqes përmes shkëmbimit akademik, është vënë nën presion. Bordi i tij dha dorëheqjen në shenjë proteste, duke akuzuar qeverinë për ndërhyrje politike dhe bllokim të bursave.

Pra, universitetet gjermane po e shfrytëzojnë këtë mundësi. Gara për talentet globale ka filluar. Nuk janë vetëm Evropa, Kanadaja apo SHBA; Kina po konkurron gjithashtu me universitete dhe qendra kërkimore të reja për talentet më të shkëlqyera./DW

Scroll to Top