Gara për BKH: Kundërshtim gjyqësor për emërimin e drejtuesit

Gara për BKH në gjykatë: Kandidati Gentian Ndoi kundërshton zgjedhjen e Joni Ketës

Zgjedhja e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) do të zhvillohet në një proces gjyqësor pranë Gjykatës Administrative, pas një padie të paraqitur nga njëri prej kandidatëve. Zyrtari i Policisë së Shtetit, Gentian Ndoi, ka kundërshtuar procedurën e ndjekur gjatë fazës së përzgjedhjes dhe shpalljen fituese të Joni Ketës. Ai pretendon se ka grumbulluar më shumë pikë në konkurs dhe se për këtë arsye, ai duhet të ishte emëruar në këtë post.

Gjatë seancës së zhvilluar më 26 mars, zoti Ndoi ka kërkuar shfuqizimin e shkresës dhe raportit të Komisionit të Përzgjedhjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), mbi të cilat u rekomandua emërimi i zotit Keta. Argumenti i tij është se këto akte janë lëshuar në kundërshtim me ligjin dhe duhet të shpallen të pavlefshme.

Seanca e radhës për shqyrtimin e kësaj çështjeje është caktuar në fillim të muajit prill. Ndërkohë, Joni Keta u zgjodh drejtues i BKH-së me shumicë votash nga Komisioni i SPAK-ut.

Në padinë e tij, zoti Ndoi kërkon gjithashtu që gjykata të detyrojë Komisionin e Përzgjedhjes të përcjellë për emërim kandidatin që ka grumbulluar më shumë pikë në garë. Po ashtu, ai kërkon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të bëjë emërimin e tij në krye të BKH-së. Një kërkesë tjetër e tij është që institucioni të nisë pagesën e pagës për këtë funksion nga muaji dhjetor e në vazhdim.

Scroll to Top