Analiza e BBC: Pse garancitë e sigurisë janë jetike për Ukrainën?
Garancitë e sigurisë për Ukrainën kanë qenë një pikë kyçe në negociatat mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ukraina kërkon angazhime të forta nga aleatët e saj, të cilët do ta ndihmojnë në parandalimin e çdo pushtimi të mundshëm nga Rusia në të ardhmen, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje.
Këtë theksim e ka bërë vazhdimisht presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky. Ai është shprehur se Kievi ka nevojë për garanci sigurie nga SHBA-ja para se të merren vendime për çështje të tjera të diskutueshme, siç është territori.
Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë zotuar tashmë të dërgojnë disa trupa në Ukrainë, në “qendra ushtarake”, në rast të një armëpushimi, si pjesë e të ashtuquajturit “Koalicion i të Gatshmëve”.
Më 29 dhjetor, Zelensky njoftoi se SHBA-të i kishin ofruar Ukrainës garanci sigurie “për 15 vjet” pas bisedimeve për një plan të rishikuar paqeje në Florida. Presidenti ukrainas thotë se dokumenti është “i përfunduar”. Megjithatë, ai ende nuk është bërë publik apo nuk është ratifikuar nga parlamentet përkatëse, duke lënë të hapur çështjen se si do të zhvillohet situata në vijim.
