Gasperini kundër Romës, fokusi te Europa League
Trajneri i Romës, Xhan Piero Gasperini, përpara ndeshjes së parë të 1/8-ave në Europa League kundër Bolonjës, ka theksuar se skuadra nuk do të bëjë zgjedhje bazuar në prioritete.
“Prioritetet janë të dyja, nuk kemi menduar kurrë të lëmë diçka pas dhe luajmë në maksimum për të gjitha objektivat. Nuk mund të bëhen zgjedhje, synimi është të kalojmë të gjitha raundet në Europa League dhe të japim maksimumin në kampionat. Nëse nuk ia arrijmë, nuk është për zgjedhje”, tha ai.
Për lojtarët individualë, Gasperini u shpreh se Hermozo, kur është i grumbulluar, është i gatshëm për të luajtur, ndërsa vendosja e tij nga minuta e parë apo gjatë ndeshjes do të vendoset më vonë.
Duke analizuar përmirësimin e skuadrës, trajneri theksoi se sulmi ka marrë një frymë të re me ardhjen e Malen, i cili ka sjellë më shumë rrezikshmëri. Po kështu vlen edhe për Zaragoza, që në Napoli dha një asist të shkëlqyer, por në Xhenoa nuk luajti. Të ardhurit nga janari gjithmonë kanë nevojë për pak kohë për t’u integruar. Lojtari që po luan më rregullisht është padyshim Pelegrini.
Për rinovimin e ish-kapitenit, Gasperini u shpreh: “Nuk është momenti për të folur për këtë temë, tani vëmendja është tek ndeshjet. Pastaj mund të ketë ndeshje ku luan mirë dhe të tjera më pak, por kjo vlen për të gjithë.”
Duke folur për performancën e klubeve italiane në Europë, trajneri komentoi situatën: “Ky vit është edhe më negativ se vitet e tjera, veçanërisht në Champions League, që nuk fitohet nga një italiane që nga 2010. Kjo lidhet me problemet e Kombëtares, që shpresojmë të arrijë në Botëror. Nuk është rastësi, lidhet me mënyrën si ndërtohen ekipet dhe sektorët e rinisë. Nëse rezultatet janë këto, problemi duhet adresuar dhe përfshin të gjithë”, vazhdoi ai.
Portieri i Romës, Mile Svilar, tha: “Ne gjithmonë synojmë fitore, netët europiane japin emocione të veçanta. Do të mundohemi të kalojmë këtë raund. Mendoj se është rastësi, gjithmonë mendojmë të shënojmë sa më shumë dhe të pësojmë sa më pak. Është një moment, do të përmirësohemi”.
Për portierin e Totenhamit, Kinski, i cili bëri dy gabime në ndeshjen me Atletiko Madridin, Svilar dha mendimin e tij: “I kam dërguar një mesazh në Instagram, ndodhin këto gjëra. Kur gabojmë ne portierët, pësojmë gola. Është një turp, por duhet të vazhdohet me forcë. Ka ndodhur edhe me mua, duhet pak kohë për ta harruar”, mbylli Svilar.
