Pas sulmeve të reja në Gaza, ushtria izraelite njofton rikthimin e armëpushimit
Ushtria izraelite njoftoi sot se po rikthehet në zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës, pas një serie sulmesh në enklavën palestineze të martën. Izraeli deklaroi se këto sulme ishin një përgjigje ndaj shkeljeve të kryera nga Hamasi.
Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Gaza raportoi se të paktën 50 persona, mes tyre 22 fëmijë, humbën jetën gjatë natës dhe në mëngjesin e sotëm, si pasojë e sulmeve izraelite në enklavën palestineze.
“Të paktën 50 persona u vranë, përfshirë 22 fëmijë dhe shumë gra, në sulmet izraelite të nisura që nga mbrëmja e djeshme (e martë) kundër Rripit të Gazës”, tha për AFP zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmoud Bassal. Ai shtoi se 200 persona të tjerë u plagosën.
Bassal e cilësoi situatën si një “shkelje të qartë dhe flagrante të marrëveshjes së armëpushimit” midis Hamasit dhe Izraelit, duke denoncuar gjithashtu kushtet “katastrofike dhe të tmerrshme” në Rripin e Gazës.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi vdekjen e një ushtari ditën e djeshme në Gaza. 37-vjeçari Yona Ephraim Feldbaum “ra në betejë në pjesën jugore të Rripit të Gazës” të martën. Ushtria izraelite kreu sulme ajrore kundër enklavës palestineze pasi akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit, i cili ishte në fuqi që nga 10 tetori.
