Sulme të reja në Gaza pas incidentit me trupat izraelite
Armëpushimi i arritur me vështirësi midis Izraelit dhe organizatës islamike Hamas po përballet me rrezik serioz. Izraeli njoftoi sulme kundër forcave të veta në jug të Rripit të Gazës. Si pasojë, aviacioni izraelit ka bombarduar rreth 20 objektiva në Rripin e Gazës, sipas informacioneve të transmetuara nga televizioni N12. Në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit bregdetar, katër palestinezë humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën, sipas raportimeve nga burimet mjekësore.
Urdhërohen sulme të reja
Një zyrtar i lartë ushtarak izraelit e akuzoi më parë organizatën islamike Hamas për shkelje të rënda të marrëveshjes së armëpushimit në konfliktin e Gazës. Ushtria njoftoi se ushtarët ishin sulmuar në jug të Rripit të Gazës, mes të tjerash me predha tanku. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, si reagim, urdhëroi sulme të reja në brezin bregdetar.
Krahu ushtarak i Hamasit mohon çdo përgjegjësi për sulmet e njoftuara. “Ne theksojmë angazhimin tonë të plotë për të zbatuar të gjitha pikat e marrëveshjes,” thuhet në një deklaratë të brigadave Kassam, duke shtuar se kjo vlen për armëpushimin në të gjitha zonat e Rripit të Gazës.
Sulmi përtej “vijës së verdhë”
Sulmet, sipas informacioneve ushtarake, ndodhën në një zonë të kontrolluar nga Izraeli, në lindje të “vijës së verdhë”. Pas kësaj vije ushtria ishte tërhequr, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit. Pas këtyre sulmeve, Izraeli njoftoi mbrëmjen e datës 19.10.2025 se armëpushimi ishte sërish në fuqi.
Hamasi ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas të cilave organizata po planifikon një sulm ndaj civilëve palestinezë në Rripin e Gazës. Këto janë “pretendime të pabaza” që i shërbejnë propagandës izraelite, thuhet në një deklaratë të Hamasit.
Plane për sulme të Hamasit ndaj civilëve palestinezë?
Ministria e Jashtme e SHBA-së kishte paralajmëruar për një sulm të planifikuar që “pritet të ndodhë së shpejti” ndaj civilëve palestinezë. SHBA, sipas njoftimit të ministrisë, ka informuar fuqitë garantuese të planit të paqes për Gazën lidhur me këto “informacione të besueshme”, të cilat nënkuptojnë një shkelje të armëpushimit.
Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit më 10 tetor dhe tërheqjes së trupave izraelite nga pothuajse gjysma e territorit të brezit bregdetar, pati njoftime për ekzekutime të civilëve palestinezë në Rripin e Gazës nga ana e Hamasit. Po ashtu, pati disa herë njoftime për përplasje të dhunshme midis Hamasit dhe klanëve rivalë në Rripin e Gazës, të cilët kundërshtojnë sundimin e Hamasit. Hamasi, i klasifikuar si organizatë terroriste nga shumë shtete, refuzon të çarmatoset, siç parashikohet në marrëveshjen e armëpushimit.