Kolegji Zgjedhor ka regjistruar Gjergj Nikën si kandidat të pavarur për Bashkinë e Vlorës.
Gjatë seancës së së enjtes, trupa gjyqësore, e përbërë nga gjyqtarët Rexhep Bekteshi, Iliba Bezati, Artan Çupi, Ornela Naqellari dhe Enkel Peza, vendosi unanimisht të aprovojë kërkesën e Nikës dhe të rrëzojë vendimet e Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, Iliran Celibashi, si dhe të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, të cilat kishin refuzuar regjistrimin e tij.
Kolegji i ka ngarkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zbatojë vendimin e formës së prerë dhe të regjistrojë Nikën si kandidat të propozuar nga zgjedhësit për kryetar të bashkisë Vlorë.
Celibashi dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve kishin rrëzuar kërkesën e tij me argumentin se ai nuk kishte ndjekur procedurën e propozimit përmes një Komiteti Nismëtar.
Nika e komentoi vendimin e Kolegjit si “fitore të drejtësisë mbi presionet politike”. Në një postim në Facebook, ai shkroi: “Ky vendim vjen pas presioneve të shumta dhe përpjekjeve të hapura nga partitë e mëdha për të penguar një zë të pavarur në garë.”
Nika ishte më parë anëtar i Këshillit Bashkiak nga Partia Demokratike, por vendosi të garonte si i pavarur pasi PD-ja mbështeti një kandidat tjetër të pavarur, Dionis Sota, i cili është sipërmarrës dhe drejtues i shoqatës turistike rajonale “Arta”. Sota mbështetet gjithashtu nga Lëvizja Shqipëria Bëhet.
Përballë dy kandidatëve të pavarur, Partia Socialiste kandidon me Brunilda Mersinin, e cila është mjeke dhe ish-drejtuese e Spitalit Rajonal të Vlorës. Për të kandiduar, Mersini dha dorëheqjen nga mandati i deputetes, të cilin e fitoi në zgjedhjet e 11 majit.
Vakanca në bashkinë e Vlorës u krijua pasi kryebashkiaku Ermal Dredha dha dorëheqjen dy muaj më parë.
Krahas Vlorës, zgjedhje të pjesshme do të zhvillohen edhe në bashkitë Mat, Tepelenë, Berat dhe Cërrik. Këto vakanca u krijuan pas dorëheqjeve të kryebashkiakëve socialistë, të cilët u përfshinë në listat e kandidatëve për deputetë ose në përbërjen e qeverisë së re.