Gjermania armatos Ukrainën me raketa me rreze të gjatë

Merz: Sistemet e raketave me rreze të gjatë veprimi do t’i vihen në dispozicion Ukrainës

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, konfirmoi të mërkurën se Ukrainës do t’i vihen në dispozicion sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi. Megjithatë, ai nuk pranoi të japë detaje lidhur me sasinë apo afatin kohor për dërgesën.

“Për muaj të tërë, ne kemi punuar intensivisht me qeverinë ukrainase për të zbatuar projekte për zjarr me rreze të gjatë veprimi, siç e quajmë teknikisht. Ushtria ukrainase do të pajiset me sisteme të tilla armësh,” deklaroi Merz gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson, në Berlin.

I pyetur rreth ngurimit të mëparshëm të Gjermanisë për të dërguar raketa kruiz me rreze të gjatë veprimi Taurus në Ukrainë, Merz nuk pranoi të jepte detaje, duke e cilësuar këtë qasje si një taktikë për të rritur presionin mbi Rusinë.

“Kemi rënë dakord që nuk do të diskutojmë më detaje publikisht, sepse besojmë se njëfarë paqartësie është e nevojshme, veçanërisht për palën ruse, në lidhje me shkallën e mbështetjes sonë ushtarake në këtë fushë,” shpjegoi Merz.

Ai shtoi: “Mund të them vetëm se po bëjmë gjithçka që mundemi për të pajisur ushtrinë ukrainase me sisteme armësh që kanë rrezen e duhur të veprimit. Dhe kjo do të vazhdojë në javët dhe muajt e ardhshëm, nëse është e nevojshme, deri në prodhimin e sistemeve të tilla të armëve në vetë Ukrainën.”

Scroll to Top