Gjermania: Debat për shërbimin ushtarak përçar koalicionin
Ligji i ri për shërbimin ushtarak u hoq papritur nga rendi i ditës i Bundestagut për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive në koalicionin qeverisës.
Një konferencë për shtyp për prezantimin e propozimit u anulua gjithashtu në minutën e fundit.
Mosmarrëveshjet kryesore lidhen me sistemin e llotarisë për përzgjedhjen e të rinjve që do të shërbenin në rast mungese vullnetarësh, pasi disa anëtarë të Partisë Socialdemokrate (SPD) druhen se ky sistem fsheh kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Udhëheqësit e koalicionit shprehën vlerësime të ndryshme për rezultatet e negociatave, duke treguar mungesën e një konsensusi të plotë.
Debati qendror brenda koalicionit ka të bëjë me bazën e rekrutimit: a duhet të jetë thjesht vullnetar, siç propozohet nga Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD), apo të përfshijë elementë detyrues, siç kërkon Unioni (CDU/CSU), për të përmbushur nevojat e Bundeswehr-it.
Një sistem llotarie po shqyrtohet si opsion në rast mungese vullnetarësh, por kjo ka hasur në kundërshtimin e zotit Pistorius për arsye kushtetuese.
Kjo është hera e dytë që projektligji, i cili përfshin një klauzolë për kthimin e rekrutimit vullnetar në atë të detyrueshëm, hiqet nga rendi i ditës i Bundestagut për shkak të mosmarrëveshjeve.