Gjermania forcon mbrojtjen hapësinore: 35 miliardë € kundër Rusisë e Kinës

Gjermania forcon mbrojtjen hapësinore ndaj Rusisë dhe Kinës, zbulon strategjinë e parë me vlerë 35 miliardë euro deri në vitin 2030.

Qeveria gjermane ka zbuluar strategjinë e saj të parë të mbrojtjes hapësinore, me synimin për të forcuar praninë evropiane në hapësirë dhe për të mbrojtur satelitët nga përshkallëzimi i tensioneve ushtarake me rivalët rusë dhe kinezë.

“Ne duhet të kemi dhe të zhvillojmë një aftësi parandaluese dhe mbrojtëse në hapësirë,” theksoi ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në një konferencë për shtyp. Ai shtoi: “Nuk duhet të jemi naivë dhe thjesht të vëzhgojmë se çfarë po bëjnë Kina ose Shtetet e Bashkuara në mbrojtjen hapësinore.”

Siç u njoftua në shtator, Forcat e Armatosura Gjermane (Bundeswehr) do të investojnë rreth 35 miliardë euro deri në vitin 2030 në këtë strategji.

“Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia janë masivisht aktive në hapësirë dhe Gjermania duhet të jetë në gjendje të sigurojë mbrojtje për satelitët tanë, sepse një sulm efektiv mund të paralizojë potencialisht shtete të tëra,” tha Pistorius.

Ai përmendi një sulm kibernetik kundër satelitëve në fillim të pushtimit rus të Ukrainës, i cili shkaktoi mosfunksionimin e disa qindra turbinave me erë në territorin gjerman.

Pistorius gjithashtu bën thirrje për të forcuar bashkëpunimin me Evropën, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se nuk do të ishte në avantazhin e Gjermanisë të konkurronte vetëm kundër Rusisë dhe Kinës.

Scroll to Top