Gjermania kërkon partneritet me Kinën kundër tarifave SHBA

Merz: Gjermania kërkon partneritete strategjike me Kinën përballë tarifave amerikane

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, deklaroi të mërkurën se vendi i tij do të kërkojë “partneritete strategjike” me Kinën gjatë një udhëtimi të planifikuar për javën e ardhshme. Synimi kryesor i këtij udhëtimi është diskutimi i bashkëpunimit të ardhshëm mes Evropës dhe ekonomisë së dytë më të madhe në botë, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po vendosin tarifa doganore.

“Ne kemi një interes strategjik për të gjetur partnerë në botë që mendojnë dhe veprojnë në mënyrë të ngjashme me ne, dhe që janë të gatshëm ta formësojnë së bashku të ardhmen, në mënyrë që vendi ynë të mbetet i begatë dhe me një nivel të lartë sigurie sociale”, tha Merz gjatë një aktiviteti në Passau, Bavari, sipas informacioneve të agjencisë REL.

Merz theksoi se politika e jashtme dhe ajo ekonomike nuk mund të jenë më të ndara. “Nëse amerikanët besojnë se, me politikën e tyre të tarifave, duhet të ushtrojnë ndikim në mbarë botën, nëse besojnë se tarifat janë më të rëndësishme se taksat në vend, atëherë kjo është diçka që amerikanët, natyrisht, mund ta vendosin vetë. Por, kjo nuk është politika jonë”, nënvizoi ai.

Gjermania shpreh shqetësimin se tarifat mund ta dëmtojnë më tej ekonominë e vendit, e cila tashmë po përballet me vështirësi. “Mund ta bëni, por ne nuk do të pajtohemi me këtë”, u shpreh Merz në lidhje me politikat tarifore. “Dhe, nëse e teproni, atëherë ne evropianët sigurisht që jemi në gjendje të mbrohemi kundër kësaj”, shtoi ai.

Merz rikujtoi se evropianët kanë dëshmuar aftësinë e tyre për të vepruar së bashku gjatë një përshkallëzimi të fundit të lidhur me Grenlandën dhe paralajmëroi se Bashkimi Evropian do të reagojë nëse Uashingtoni rrit sërish tarifat.

“Kjo është strategjia jonë e dyfishtë: një dorë e shtrirë dhe, në çdo kohë, një partneritet i rinovuar. Por, gjithashtu mjaftueshëm kohezion dhe unitet brenda Bashkimit Evropian në mënyrë që të mund të mbrohemi mjaftueshëm kundër gjërave që nuk i dëshirojmë”, përfundoi ai.

Scroll to Top