Merz: Gjermania do të kërkojë partneritete strategjike me Kinën
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi të mërkurën se vendi i tij do të synojë të krijojë “partneritete strategjike” me Kinën gjatë një vizite të planifikuar për javën e ardhshme. Qëllimi është diskutimi i bashkëpunimit të ardhshëm midis Evropës dhe ekonomisë së dytë më të madhe në botë, në një periudhë kur Shtetet e Bashkuara po mbështeten gjithnjë e më shumë tek tarifat.
“Ne kemi një interes strategjik për të gjetur partnerë globalë që mendojnë dhe veprojnë në përputhje me ne, dhe që janë të gatshëm të bashkëpunojnë për të formësuar të ardhmen, në mënyrë që vendi ynë të mbetet i begatë dhe të ruajë një nivel të lartë të sigurisë sociale,” tha Merz gjatë një aktiviteti në Passau, Bavari.
Merz theksoi se politika e jashtme dhe ajo ekonomike nuk mund të jenë më të ndara. “Nëse amerikanët besojnë se, përmes politikës së tyre të tarifave, duhet të ushtrojnë ndikim në nivel global, nëse besojnë se tarifat janë më të rëndësishme se taksat vendase, atëherë kjo është diçka që amerikanët, natyrisht, mund ta vendosin vetë. Por, kjo nuk është politika jonë,” nënvizoi Merz.
Gjermania shpreh shqetësimin se tarifat mund të dëmtojnë më tej ekonominë e vendit, e cila tashmë po përballet me vështirësi. “Mund ta bëni, por ne nuk do të pajtohemi me këtë. Dhe, nëse e teproni, atëherë ne, evropianët, sigurisht që jemi në gjendje të mbrohemi kundër kësaj,” u shpreh Merz në lidhje me tarifat.
Merz shtoi se evropianët kanë demonstruar aftësinë për të vepruar së bashku gjatë një përshkallëzimi të fundit të lidhur me Grenlandën dhe paralajmëroi se Bashkimi Evropian do të reagojë nëse Uashingtoni vendos të rrisë sërish tarifat.
“Kjo është strategjia jonë e dyfishtë: një dorë e shtrirë dhe, në çdo kohë, një partneritet i ripërtërirë. Por, gjithashtu, mjaftueshëm kohezion dhe unitet brenda Bashkimit Evropian në mënyrë që të mund të mbrohemi në mënyrë adekuate kundër gjërave që nuk i dëshirojmë,” përfundoi ai.
