Gjermania kufizon ndihmat për refugjatët ukrainas

Gjermani, Merz shkurton ndihmat për emigrantët nga Ukraina, Auron Dodi: Projektligji parashikon dhe heqjen e ndihmës mjekësore

Qeveria gjermane, e drejtuar nga kancelari Friedrich Merz, do të kufizojë ndihmën për shtetasit ukrainas që gjenden në Gjermani. Kancelari Merz i ka kërkuar gjithashtu Presidentit të Ukrainës, Zelenski, që të kontribuojë në kufizimin e numrit të ukrainasve që vijnë në Gjermani.

Në një lidhje nga Gjermania, Auron Dodi nga DW shpjegon detajet:

Auron Dodi: Fillimisht dua të theksoj se për momentin nuk bëhet fjalë për kthimin e ukrainasve në atdhe nga Gjermania. Ky diskutim është i veçantë nga ai për riatdhesimin e sirianëve.

Konkretisht, bëhet fjalë për një projektligj për ndihmën për refugjatët ukrainas, të cilin qeveria gjermane e miratoi të mërkurën (19.11.). Projektligji parasheh ndryshimin dhe shkurtimin e llojit të mbështetjes që marrin ukrainasit në Gjermani. Deri tani, 1.2 milionë ukrainas që erdhën në Gjermani pas fillimit të luftës në Ukrainë, në vitin 2022, kanë përfituar ndihma sociale dhe mbështetje të barabartë me shtetasit gjermanë. Kjo gjendje ka rënduar sistemet gjermane.

Rrjedhimisht, është vendosur që ukrainasit që kanë hyrë në Gjermani pas datës 1 prill 2025, në të ardhmen do të marrin përfitime si azilkërkuesit, në vend të ndihmës sociale që u jepet qytetarëve gjermanë. Kancelari Friedrich Merz ia shpjegoi këtë masë Presidentit ukrainas Zelenski në një bisedë telefonike më 15.11.

Pyetje: A bëhet fjalë thjesht për shkurtim ndihmash, pa lidhje me planin aktual të paqes të SHBA për Ukrainën?

Auron Dodi: Po. E ardhmja përfundimtare e planit të paqes ende nuk dihet. Kancelari Merz do të zhvillojë një bisedë telefonike me Presidentin amerikan Trump për të marrë sqarime. Kemi të bëjmë me shkurtimin e ndihmës për ukrainasit në Gjermani, çka konkretisht nënkupton një reduktim prej rreth 120 eurosh në muaj për ukrainasit që kanë ardhur në Gjermani pas 1 prillit të këtij viti. Refugjatët e ardhur më herët do të vazhdojnë të marrin ndihmën sociale që marrin gjermanët.

Me fjalë të tjera: ukrainasit pa familje, deri tani, marrin rreth 560 euro në muaj, plus shpenzimet për qira dhe ngrohje falas, si dhe sigurimin shëndetësor falas. Në të ardhmen, ndihma shtetërore për ukrainasit e ardhur pas 1 prillit do të reduktohet në rreth 440 euro. Do të kufizohet edhe ndihma mjekësore për ta.

Pyetje: A synon qeveria gjermane të dërgojë me këtë hap një sinjal për ukrainasit e rinj që duan të vijnë në Gjermani, apo ka arsye të tjera?

Auron Dodi: Po, fillimisht, në marrëveshjen e koalicionit qeveritar të nënshkruar në pranverë mes konservatorëve CDU/CSU dhe Socialdemokratëve, u ra dakord të ulen kostot për Gjermaninë dhe që vendi të bëhet më pak tërheqës për refugjatët. Megjithatë, mendoj se një faktor i rëndësishëm që përshpejtoi vendimin ishte një zhvillim: në gusht 2025 Kievi hoqi ndalimin e udhëtimit për meshkujt nën moshën 22 vjeç. Që atëherë, një numër shumë i madh i tyre po vijnë në Gjermani. Kancelari Merz i kërkoi për këtë arsye Presidentit Zelenski të “sigurojë që veçanërisht të rinjtë nga Ukraina të mos vijnë në Gjermani në numër të madh, por të shërbejnë në vendin e tyre”.

Pyetje: A ndodhet Merzi nën presion në Gjermani për çështjen e ukrainasve?

Auron Dodi: Friedrich Merzi plotëson me këtë nga njëra anë premtimet e tij nga fushata zgjedhore. Por, natyrisht, masa është pjesë e debatit të gjerë mbi refugjatët dhe migrantët në Gjermani. Edhe 1.2 milionë refugjatët ukrainas të ardhur këtu që nga fillimi i luftës, përbëjnë një barrë të konsiderueshme për sistemin gjerman. Si gjithmonë, partia populiste e djathtë AfD ushtron presion me çështjen e refugjatëve. Prandaj, ekspertët e shohin reformën e ndihmës edhe si mesazh për votuesit e mundshëm të AfD-së. E pranishme në debat është edhe përplasja ideologjike që shoqëron gjithmonë temën e migrantëve: një pjesë e madhe e gjermanëve dhe konservatorët kërkojnë kufizimin e ardhjes së të gjithë migrantëve, ndërsa partitë e majta mendojnë që njerëzit nga vendet më të varfra kanë të drejtë të emigrojnë në vendet e pasura, si dëmshpërblim për krimet koloniale.

Pyetje: Pse i drejtohet Merzi drejtpërdrejt Zelenskit lidhur me ukrainasit në Gjermani?

Auron Dodi: Kjo sepse Gjermania dëshiron të vazhdojë t’i mbështesë ukrainasit, dhe këtë e bën më shumë se çdo vend tjetër evropian. Por, kujtoj deklaratën e Presidentit të Gjermanisë Gauck në vitin 2015, gjatë valës së madhe të refugjatëve: “Zemrat tona janë të mëdha, por mundësitë tona janë të fundme.” Ekziston një tension midis qëllimeve humanitare dhe kapaciteteve reale.

Pyetje: Sa të integruar janë refugjatët ukrainas në tregun gjerman të punës?

Auron Dodi: Kuota e punësimit të refugjatëve ukrainas nga lufta në Gjermani ishte 51% në verën e këtij viti, për personat e moshës midis 20 dhe 64 vjeç, të cilët kanë mbërritur në Gjermani në fillim të luftës. Në dy vitet e para, integrimi i ukrainasve në tregun gjerman të punës ishte relativisht i ngadaltë, por u përshpejtua në vitin e tretë. Këtë e raportoi Instituti Federal për Kërkime Demografike, i cili bëri një studim. Instituti bëri të ditur se me përmirësimin e aftësive në gjuhën gjermane, u reduktua vonesa në hyrjen në tregun e punës.

Pyetje: A duan ukrainasit të kthehen në atdhe nga Gjermania? Sa e madhe është gatishmëria e ukrainasve vetë për t’u kthyer?

Auron Dodi: Sipas një studimi të Institutit Ifo të Mynihut, të kryer në tetor 2025, në 30 shtete evropiane: një në dy refugjatë nga Ukraina do të ishin të gatshëm të ktheheshin në atdhe, por nëse plotësohen kushte të caktuara, si rivendosja e kufijve të vitit 1991, garancitë e sigurisë së NATO-s dhe perspektiva e anëtarësimit në BE për Ukrainën. Kurse gatishmëria e refugjatëve ukrainas në Gjermani për të qëndruar këtu është mjaft më e madhe. Një studim i Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët i vitit 2023/24 ka evidentuar se 59% e atyre që u larguan në muajt e parë të luftës dhe 69% e atyre që mbërritën më vonë nuk kanë interes të kthehen në Ukrainë.

Scroll to Top