Gjermania synon të ndëshkojë personat që gënjejnë gjatë procesit të marrjes së nënshtetësisë
Kushdo që ofron informacion të rremë ose të paplotë gjatë procesit të aplikimit për shtetësi gjermane do të përballet me një ndalim dhjetë-vjeçar për t’u bërë shtetas gjerman. Kjo parashikohet në një amendament të një projektligji, i cili përcakton vendet e sigurta të origjinës përmes një dekreti. Projektligji u miratua më 3 dhjetor nga Komisioni për Punë të Brendshme i Bundestagut.
Anëtarët e Komisionit nga grupi parlamentar konservator, Socialdemokratët dhe partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, votuan në favor të versionit të modifikuar të projektligjit. Ndërkohë, Të Gjelbërit dhe Të Majtët votuan kundër.
Ky ndryshim vjen si reagim ndaj hetimeve të zhvilluara lidhur me shitjen e certifikatave të falsifikuara të gjuhës në disa lande gjermane. Projektligji, i cili do të diskutohet dhe votohet përfundimisht në seancën plenare të së premtes, tashmë specifikon se ndalimi duhet të zbatohet për një periudhë prej dhjetë vjetësh në rastet kur shtetësia është revokuar në mënyrë të pakthyeshme ose nëse një aplikues ka mashtruar me qëllim, ka kërcënuar apo ka dhënë ryshfet.
Ndalimi do të zbatohet gjithashtu edhe ndaj një shtetasi të huaj që qëllimshëm ka dhënë informacione të pasakta ose të paplota në lidhje me kushtet kryesore për marrjen e shtetësisë.
Projektligji i amendamentuar thekson se ky ndalim “shërben për të forcuar zbatimin e ligjit dhe për të parandaluar inkurajimin e shkeljes së ligjit”.
Një ndryshim tjetër i propozuar përfshin heqjen e së drejtës për mbështetje juridike të financuar nga shteti për personat që mbahen në qendra ndalimi për dëbim ose në paraburgim, teksa presin të largohen nga vendi – një e drejtë që filloi të zbatohej vitin e kaluar.
