Gjermania: Pensionistët punojnë më gjatë, deri 2000€ shtesë pa taksa
Gjermania miraton projektligjin që u lejon pensionistëve të punojnë më gjatë, Auron Dodi: Mund të marrin deri në 2000 euro shtesë në muaj pa paguar taksa
Në Gjermani, qeveria ka miratuar një projektligj që u mundëson pensionistëve të punojnë më gjatë, duke paguar më pak taksa. Ky model, i quajtur “pensioni aktiv”, ka për qëllim të nxisë pensionistët të qëndrojnë më gjatë në tregun e punës.
Gazetari i Deutsche Welle, Auron Dodi, shpjegoi detaje rreth këtij plani në një intervistë për News24:
News24: Çfarë është konkretisht “pensioni aktiv” në Gjermani?
A. Dodi: “Pensioni aktiv” është një model i prezantuar si projektligj këtë javë nga qeveria gjermane. Ai lejon fitimin e të ardhurave shtesë pas daljes në pension, pa paguar taksa. Ky model është menduar për ata që dëshirojnë të vazhdojnë punën pas arritjes së moshës së pensionit. Modeli i ri pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026, ndërsa diskutimi filloi më 16 tetor në Bundestag. “Pensioni aktiv” ofron lehtësime tatimore kur punëdhënësi dhe personi në moshë pensioni bien dakord të vazhdojnë marrëdhënien e punësimit.
News24: A ka një kufi për shumën e përfitimeve të papaguara nga taksat?
A. Dodi: Po. Pensionistët mund të marrin deri në 2000 euro shtesë në muaj, të cilat nuk do t’u tatohen nëse vazhdojnë të punojnë. Për shembull, nëse një pensionist fiton 2500 euro bruto në muaj nga puna, në të ardhmen do të paguajë taksa vetëm për 500 euro. Pjesa tjetër do të jetë e përjashtuar nga tatimi. Kjo do të thotë se personat që kanë arritur moshën e pensionit mund të fitojnë deri në 24,000 euro në vit, të cilat nuk do t’u tatohen.
News24: Kush përfiton nga ky “pension aktiv”?
A. Dodi: Përfitues janë të gjithë ata që duan të punojnë më gjatë se mosha e pensionit dhe për të cilët bien dakord si punonjësi, ashtu edhe punëdhënësi. “Pensioni aktiv” nuk i jep pensionistit një pretendim ligjor për punësim të mëtejshëm, por ofron vetëm lehtësi tatimore. Ministria gjermane e Financave pret që rreth 168,000 aplikues të rinj në vit të pranojnë këtë ofertë, që përfaqëson rreth një të katërtën e përfituesve. Nga aspekti fiskal, qeveria është e interesuar që ky model të përqafohet, pasi do të paguhen kontribute sociale si nga punëdhënësi, ashtu edhe nga punonjësi, duke lehtësuar situatën financiare të sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe pensioneve.
News24: Dhe kush nuk ka të drejtë të përfitojë nga “pensioni aktiv”?
A. Dodi: Nga “pensioni aktiv” nuk përfitojnë të vetëpunësuarit, nëpunësit civilë, ata që kryejnë “mini-punë” (me të ardhura deri në 556 Euro në muaj dhe 70 ditë në vit), si dhe fermerët. Këto grupe aktualisht kanë tendencën të punojnë më gjatë. Qeveria Merz është në dijeni të këtij fakti dhe pas dy vitesh, modeli i “pensionit aktiv” do të rishikohet.
News24: A subvencionohet “pensioni aktiv” nga shteti gjerman me shuma të mëdha?
A. Dodi: Qeveria vlerëson se kostoja e kësaj mase do të jetë 890 milionë euro në vit, duke filluar nga 1 janari 2026. Megjithatë, duke llogaritur kontributet që do të paguhen në arkat sociale, modeli mund të rezultojë me interes. Funksionimi i tij varet nga vendimet individuale: si pensionisti duhet të ketë dëshirën për të punuar, ashtu edhe punëdhënësi duhet ta mbështesë punësimin e mëtejshëm.
News24: Çfarë e shtyu qeverinë gjermane të ofrojë një model të tillë pensioni?
A. Dodi: Qeveria e kancelarit Merz synon kryesisht të zbusë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, duke pasur parasysh sfidën demografike. Gjermania përballet me daljen në pension të 4.8 milionë punonjësve deri në vitin 2035, kryesisht nga brezat e lindur në vitet 1950-1960. Kjo situatë rëndon sistemet shëndetësore dhe sociale, pasi më pak të punësuar duhet të kontribuojnë për më shumë pensionistë. Gjithashtu, “pensioni aktiv” ishte një premtim zgjedhor i kancelarit Merz, duke sinjalizuar vlerësimin e kontributit të të moshuarve që vendosin të punojnë.
News24: Si është pritur kjo masë në Gjermani?
A. Dodi: Të enjten filloi në parlamentin federal, Bundestag, diskutimi për paketën e pensioneve. Paketa pritet të miratohet, megjithëse ka kundërshtime, sidomos nga deputetë të rinj konservatorë. Reagimet fillestare në opinion janë të rezervuara. Kompania e sigurimeve të pensioneve ka kujtuar kostot e masave dhe ka shprehur dyshimin se ato zgjidhin probleme. Ata theksojnë se shumë pensionistë ndalojnë së punuari për arsye shëndetësore, për kushtet e punës, ose sepse punëdhënësi nuk i dëshiron më. Megjithatë, qeveria thekson se “pensioni aktiv” është vetëm një pjesë e paketës për pensionet. Përveç këtij modeli, qeveria do të miratojë një ligj për stabilizimin e pensioneve, duke ruajtur qëndrueshmërinë e tyre deri në vitin 2031, me nivelin e pensioneve që do të mbetet në 48%.