Pre. Dhj 14th, 2018

Gjermania prek fundin historik! Dy rekorde negative pas humbjes me Holandën

Humbja 3-0 përballë Holandës mbrëmjen e së shtunës ka bërë që Gjermania të regjistrojë dy nga statistikat më të dobëta në historinë e saj.

Së pari, “panzerat” dështuan të shënonin gol në takimin e tretë radhazi zyrtar, për herë të parë në histori. Hera e fundit që Gjermania ka shënuar në një ndeshje zyrtare ka qenë goli i Toni Kroos në fitoren ndaj Suedisë, gjatë Kupës së Botës në Rusi.

Që prej atëherë, Gjermania është mposhtur 2-0 nga Koreja e Jugut, duke u eliminuar befasisht nga Botërori, e më pas barazoi 0-0 me Francën në Ligën e Kombeve, përpara takimit në Amsterdam.

Virgil van Dijk, Memphis Depay dhe Georginio Wijnaldum ishin autorët e golave për “tulipanët”, të cilët morën një fitore jo edhe aq të lehtë, por shpërblyese në fund për Ligën e Kombeve, në “Johan Cruijff Arena” të Amsterdamit.

Kjo ndeshje shënoi gjithashtu herën e parë që Holanda mposht Gjermaninë me një diferencë prej të paktën 3 golash.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Joachim Low, i cili hyri në histori si tekniku me më shumë ndeshje në drejtimin e Gjermanisë, do të ketë mundësinë të shmangë thellimin e rekordit negativ të ndeshjeve pa shënuar gol, kur të luajë përballë Francës, të martën, në Paris.

InfoPasqyra/tch

Kategori