Johann Wadephul: Gjermania rrit fondet për blerjen e armëve amerikane për Ukrainën
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, bëri të ditur të mërkurën se Berlini do të sigurojë 200 milionë dollarë shtesë për furnizime me armë dhe municione amerikane për Ukrainën.
Ky njoftim i Wadephul tejkalon vlerën prej 150 milionë eurosh (174.6 milionë dollarë) të premtuara më parë nga Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius. Financimi do të shfrytëzohet për blerje përmes të ashtuquajturës “Nisma financiare PURL (Prioritized Ukraine Request List)”. Ky mekanizëm parasheh që municionet dhe armët e prodhuara në Shtetet e Bashkuara t’u shiten aleatëve evropianë të Ukrainës dhe Kanadasë, të cilët më pas do t’i vënë në dispozicion Ukrainës.
Gjermania ka financuar më parë një paketë armësh prej 500 milionë dollarësh. Përveç kësaj, Wadephul theksoi se 25 milionë euro të tjera do të drejtohen drejt një fondi besimi të NATO-s, i cili do të përdoret për pajisje dimërore dhe furnizime mjekësore.
Rritja e financimit vjen në prag të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, ku do të diskutohet mbështetja e mëtejshme për Ukrainën. Në të njëjtën kohë, po vazhdojnë përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës ruse.
Duke folur para takimit, Wadephul u shpreh se Presidenti rus Vladimir Putin “ende nuk ka treguar ndonjë gatishmëri të vërtetë për të negociuar”.
“Putini dëshiron të vazhdojë të minojë sigurinë evropiane dhe euroatlantike. Ai dëshiron të testojë gatishmërinë tonë mbrojtëse. Ai dëshiron të na përçajë në mënyrë që të dobësojë aleancën tonë”, tha ai.
“Por ai nuk do të ketë sukses”, shtoi Wadephul.
