Mar. Gus 21st, 2018

Gjilani, investime të mëdha në infrastrukturë

PRISHTINË, 8 gusht/ATSH/- Pas vizitës në lagjen e kategorive të pambrojtura, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, vizitoi punimet në ndërtimin e rrugës prapa Tregut të Gjelbër.

“Gjilani ka hyrë në investimet më të mëdha infrastrukturore të pasluftës. Në lagjen “Mulla Idrizi” po fillojmë me ndërtimin e katër rrugëve, përfshirë edhe këtë prapa Tregut të Gjelbër. Kjo lagje do të bëhet me infrastrukturë të plotë, ndërkohë që po punojmë me intensitet të shtuar edhe në fshatra për ta zgjidhur problemin e katërshes infrastrukturore”, theksoi Haziri.

Gjatë vizitës së sotme, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, bëri të ditur se sot do të bëhet hapja e ofertave për modernizimin e Tregut të Gjelbër, duke shtuar se ka nisur edhe faza e dytë e ndërtimit të shëtitores mbi lumin “Mirusha”.

Drejtori për Shërbime Publike, Naser Korça, u shpreh se po punohet në infrastrukturën rrugore në Selishtë, Bresalc, lagjen “Fehmi Agani”, rrugët në drejtim të Malishevës, duke shtuar se ka nisur edhe dy projekte të tjera për ndërtimin e rrugëve në lagjen “Arbëria” dhe rrugën nga Livoçi e deri tek “Konsoni”.

Korça ka konfirmuar se të enjten do të bëhet hapja e ofertave për ndërtimin e Rrugës së Kumanovës, projekt ky të cilin e ka fituar Komuna e Gjilanit nga organizata zvicerane DEMOS dhe MAPL për performancën e mirë të vitit 2016.

Kreu i Gjilanit  i bëri apel ndërtuesve në Gjilan që të kujdesen për infrastrukturën duke mos e dëmtuar atë.

“Sipas ligjeve në fuqi, ndërtuesit janë të detyruar ta ndërtojnë hapësirën e përbashkët dhe ato pjesë ku i kanë dëmtuar programet e komunës. Ka ardhur koha që ndërtuesit tek Mulliri i Vjetër ta ndërtojnë hapësirën e përbashkët sikur këtu që është shembulli i mirë”, përfundoi Haziri./k.s/

Kategori