GJKKO dërgon për gjykim çështjen penale ndaj Benet Becit.
Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të dërgojë për gjykim dosjen penale ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Ai akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, në bashkëpunim me gjashtë persona të tjerë.
Dyshohet se abuzimi, për të cilin Beci ka statusin e të akuzuarit, është kryer gjatë kohës kur ai mbante detyrën e administratorit të KESH. Si titullar i KESH, ai pretendohet se ka bashkëpunuar me të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Adela Ruko, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti. Ky bashkëpunim thuhet se ka synuar të krijonte një avantazh të padrejtë për një kompani gjatë një tenderi me vlerë 700 milionë lekë.
Dosja, e hapur në vitin 2024 nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), ka marrë shkas nga kontrolli i telefonit të Evis Berberit, një ish-zyrtar tjetër që aktualisht ka çështje të hapura me drejtësinë lidhur me tendera të tjerë.
SPAK akuzon titullarin e KESH, Benet Beci, si dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave dhe të njësisë së prokurimit, se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin. Këto veprime përfshijnë përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe fazën e vlerësimit të ofertave.
