GJKKO kalon për gjykim dosjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të kalojë për gjykim çështjen në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe 29 personave të tjerë.
Ky vendim u mor në seancë paraprake nga gjyqtarja Etleva Deda, një vit pas arrestimit të kryebashkiakut.
Akuzat kundër Veliajt
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen për Erion Veliajn.
Sipas dosjes së përpiluar nga SPAK, mbi Veliajn rëndojnë 13 akuza, ndërsa mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, rëndojnë 12 akuza.
Në përfundim të hetimeve paraprake, është rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme. Këto përfitime janë marrë nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilat nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Hetimet penale kanë mbledhur të dhëna konkrete që provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek organizata jofitimprurëse të kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me ta.
Gjithashtu, të pandehurit kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë, për shkak të funksionit që kryente Veliaj.
Në të gjitha këto raste, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe organizatat jofitimprurëse të përmendura më sipër, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryente i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
