GJKKO pushon çështjen ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit
Gjykata e Posaçme ka pushuar sot çështjen ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Vendimi për pushimin e çështjes erdhi pas kërkesës së prokurores Doloreza Musabelliu.
Muhamet Rrumbullaku po hetohej për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Megjithatë, SPAK ka deklaruar se nuk janë gjetur prova për kryerjen e veprës penale për të cilën ishte bërë kallëzimi penal ndaj tij.
Në nëntor të vitit të kaluar, Rrumbullaku është marrë në pyetje për rreth një orë në Prokurorinë e Posaçme, në cilësinë e personit në dijeni, lidhur me hetimin për transferimet e punonjësve të policisë. Hetimi fillimisht ishte nisur nga Prokuroria e Beratit, por më pas dosja u transferua pranë SPAK për shkak të kompetencës.
Kjo çështje ka të bëjë me rreth 20 transferime në radhët e Policisë së Shtetit, të cilat disa palë pretenduan se ishin të paligjshme.
