GJKKO rrëzon kërkesën e Erion Veliajt për transmetim live të seancave
Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, e cila u zhvillua këtë të hënë, ka sjellë një zhvillim të rëndësishëm. Veliaj, i cili edhe këtë herë nuk është paraqitur fizikisht në sallën e gjyqit, është përfaqësuar nga avokati i tij. Mungesa e tij është justifikuar zyrtarisht, duke përfshirë një deklaratë ku theksohet se ai nuk dëshiron të marrë pjesë në seancë.
Në këtë proces, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfaqësohet nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.
Gjatë seancës u lexua kërkesa e depozituar nga Veliaj, ku ai kishte kërkuar transmetimin live të seancave gjyqësore, me arsyetimin se publiku duhet të ketë mundësi të ndjekë në kohë reale ecurinë e procesit. Megjithatë, gjykata ka rrëzuar këtë kërkesë.
Gjithashtu, për seancën e sotme nuk është lejuar prania e kamerave në sallë. Ky vendim erdhi pasi njëri nga të pandehurit në çështje, Elman Abule, nuk ka dhënë pëlqimin për filmim, duke bërë që procesi të mbyllet për mediat vizive.
