Gjoba Tatimore Hequr: Shtyhet Afati Për Deklarim

Fillon puna, hiqen gjobat e vendosura për vonesë deklarimi gjatë ditëve të pushimit!

Gjatë ditës së djeshme, bizneset shprehën pakënaqësi pasi në datën 20 mars, ditë feste zyrtare (Bajram), administrata tatimore u kishte vendosur gjoba për mosdorëzim të deklaratës së Tatimit në burim dhe listë-pagesës së sigurimeve.

Sipas ligjit të procedurave tatimore, në rast se afati i deklarimit ose pagesës së taksave bie në një ditë pushimi zyrtar (ose fundjavë), ky afat shtyhet automatikisht në ditën e parë pasardhëse të punës.

Një ekonomiste, me iniciale M.S., u shpreh: “Mirë që nuk na mbështesin dhe të na mirëkuptojnë për vonesat dhe angaritë e shkaktuara nga E-Albania për mbylljet dhe dorëzimet e bilanceve, por na stresojnë edhe kur zbatojmë ligjet dhe kodet proceduriale të punës.”

Gjatë ditës së sotme, subjektet kanë raportuar se sistemi është kthyer në normalitet dhe gjobat janë hequr. Duket se vetë sistemi ka qenë i “çakorduar” nga ditët e shumta të pushimit të administratës.

Scroll to Top