Raporti i AWA: Gjuha e urrejtjes në Shqipëri po rritet ndjeshëm
Raporti i AWA evidentoi nivelet dhe dimensionet më problematike të përhapjes së gjuhës së urrejtjes në peizazhin mediatik shqiptar. Sipas gjetjeve, gjuha e urrejtjes me bazë gjinore mbetet një çështje shqetësuese dhe me shkallë të gjerë përhapjeje. Ndërkohë, ajo ndaj gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë është shtuar ndjeshëm krahasuar me raportet e mëparshme.
“Diskursi i urrejtjes është shpërndarë ndaj grupeve të tilla si gratë, gazetarët, kundërshtarët politikë, minoritetet, etnitë, apo edhe grupet me orientim të ndryshëm seksual,” theksohet në raport.
Një risi e këtij raporti janë kategoritë e reja të identifikuara si objekt i gjuhës së urrejtjes: institucionet publike dhe fëmijët/minorenët.
Gjetjet e raportit mbulojnë periudhën nga janari 2024 deri në qershor 2025 dhe bazohen në raportimin e 96 incidenteve që përmbanin gjuhë urrejtjeje.
“Incidentet më të shpeshta gjatë kësaj periudhe ishin ato me bazë gjinore (40.6%), ndaj gazetarëve (12.5%) dhe ndaj kundërshtarëve politikë (12.5%),” tha ekspertja e raportit, Dorentina Hysa.
Hysa i cilësoi këto gjetje si shqetësuese, duke theksuar se politikanët dominojnë diskursin politik kundër gazetarëve, duke ndikuar në amplifikimin e narrativave të urrejtjes.
Edhe deputetja Jorida Tabaku shprehu shqetësimin e saj lidhur me nivelet e larta të diskursit të urrejtjes. “Ne e kemi kthyer median në shënjestër të pushtetit,” tha Tabaku, duke nënkuptuar se politikanët shpesh përdorin sulmet ndaj gazetarëve si mënyrë për t’i censuruar ata.
Sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, një faktor që ndikon në nxitjen e urrejtjes janë edhe narrativat dezinformuese që shpërndahen me qëllim nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë.
“Gjuha e urrejtjes është produkt gjithashtu i një dezinformimi të qëllimshëm, që bëhet për të prodhuar urrejtje dhe për të mbajtur gjallë stereotipe mbi kategori të caktuara,” tha Gajda.