Vrąsja e Behar Sofisë/ Gjykata e Lartë cakton 127 vite burg për autorët e krimit
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e 5 personave të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Bujar Sofia, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2021 pranë ‘Piramidës’ në Tiranë. Kolegji penal la në fuqi vendimin e dhënë nga Apeli i Posaçëm më 16 shtator 2024.
Si pasojë:
- Xhuljano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leza janë dënuar secili me nga 30 vite burg.
- Ernejt Shyti, i cili ishte bashkëpunëtor i drejtësisë dhe ekzekutori, është dënuar me 7 vite heqje lirie.
Të pesë të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprat penale:
- “Vrasje me paramendim”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
- “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
- “Grupi i strukturuar kriminal”.
Jemin Shera, i cili organizoi dhe dha urdhrin për vrasjen e biznesmenit, është dënuar me 35 vite burg në mungesë.
Behar Sofia, i njohur si “padron droge”, u vra mëngjesin e 25 shkurtit 2021 pranë Piramidës në Tiranë. Vrasësi, i veshur sportiv, me kapele, syze dhe maskë anti-COVID, e ndoqi viktimën me biçikletë për disa metra pranë shtëpisë së tij, i preu rrugën dhe e qëlloi. Pas kryerjes së atentatit, ai u largua fillimisht në këmbë përmes urës së Lanës, më pas me biçikletë pranë kullave dhe u zhduk drejt Kodrave të Liqenit.
