Gjykata e Lartë rihap hetimet për 3 gjyqtarë pas lehtësimit të dënimit ndaj Dritan Dajtit.
Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit për pushimin e hetimeve ndaj tre gjyqtarëve: Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini. Këta gjyqtarë akuzohen për lehtësimin e dënimit të Dritan Dajtit.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici, ka prishur vendimin e Apelit të GJKKO të datës 27 nëntor 2020. Çështja është kthyer sërish në të njëjtën gjykatë, por me një trupë tjetër gjykuese.
Dritan Dajti ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe ndodhet në burg që prej vitit 2008.
Megjithatë, në shkurt të vitit 2019, një trupë gjykuese pranë Apelit vendosi të zëvendësonte burgimin e përjetshëm me 25 vite burg. Gjyqtarët Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj, në shumicë, pranuan kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar, duke ulur dënimin e tij me një të tretën. Dy gjyqtarë të tjerë në pakicë, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha, patën mendim ndryshe.
Në qershor të vitit 2024, Gjykata e Lartë pranoi rekursin e Prokurorisë, duke rikthyer dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin.
