Gjykata e Lartë ka mbrojtur procesin e votimit që çoi në zgjedhjen e gjyqtarit Asim Vokshi për një vend në Gjykatën Kushtetuese. Institucioni sqaroi se po përballet me një sulm verbal të bazuar në interpretime dhe pretendime “të pavërteta, të pasakta dhe të njëanshme”.
Nëpërmjet një deklarate, Gjykata e Lartë shpjegoi rregulloren e procesit të votimit, e cila është kontestuar nga kandidatja tjetër, Naureda Llagami. Sipas Gjykatës së Lartë, rregullat e përdorura në Mbledhjen e Gjyqtarëve ishin “identike me ato të miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, nën drejtimin e znj. Llagami”.
Ky reagim vjen pas rrjedhjes në media të dokumenteve të procesit të votimit, duke përfshirë një votë të shpallur të pavlefshme dhe regjistrimet audio të mbledhjes. Gjykata e Lartë ngriti dyshime se këto dokumente mund të jenë rrjedhur nga Llagami, pasi ajo është subjekti i vetëm që i ka kërkuar.
Gjykata e Lartë dhe ish-kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, janë në një debat për procesin e zgjedhjes së gjyqtarit pasues në Gjykatën Kushtetuese. Gjyqtari Asim Vokshi u shpall fitues i pozicionit vakant më 30 shtator, bazuar në pikëzimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Gjatë votimit të fshehtë, kandidatja Naureda Llagami mori 8 vota, Vokshi 6 vota, dhe një votë u shpall e pavlefshme. Pavarësisht se askush nuk siguroi 3/5 e votave, Vokshi u shpall fitues, duke qenë i pari në pikëzimin e KED.
Llagami ngriti pretendime për votën e pavlefshme, duke argumentuar se vullneti i zgjedhësit ishte në favor të saj dhe iu drejtua Gjykatës Administrative me kërkesë për pezullimin e vendimit. Kërkesa e saj u refuzua pasi gjykata e vlerësoi jashtë juridiksionit të saj.
Më pas, Llagami iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar që vota e pavlefshme të konsiderohej dhe të shpallej fituese me 9 vota.
Gjykata e Lartë sqaroi se procedura e zgjedhjes u bazua në legjislacion dhe në një rregullore të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, miratuar më 24 shkurt 2022. Kjo rregullore është zbatuar në mënyrë identike me procedurat e mëparshme, pa kundërshtime institucionale.
Gjykata e Lartë theksoi parimin e fshehtësisë së votës si garanci për pavarësinë dhe integritetin e vendimmarrjes kolegjiale. U shpjegua se në fletën e votimit të shpallur të pavlefshme ishin bërë dy shenja të ndryshme, një kryq votimi dhe një rrethim numri, duke cenuar fshehtësinë e votës.
“Nëse lejohet që çdo votë ‘e qartë’ të pranohet edhe kur nuk është ‘e fshehtë’, atëherë parimi i fshehtësisë humbet kuptimin dhe procesi bëhet i identifikueshëm,” argumentoi Gjykata e Lartë.
Gjykata e Lartë gjithashtu cilësoi të pasaktë referencën ndaj Kodit Zgjedhor, duke theksuar se zgjedhja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë është një procedurë institucionale e brendshme, jo proces zgjedhor politik.
Në fund të njoftimit, Gjykata e Lartë deklaroi se ka vepruar me transparencë të plotë dhe ka vënë në dispozicion të znj. Llagami të gjitha dokumentet e kërkuara, duke dëshmuar se nuk ka pasur synim për t’i mbajtur ato të fshehta.
“Institucioni i Gjykatës së Lartë nuk trembet nga sulmet, as ndikohet prej tyre. Gjuha e denigrimit dhe e përbaltjes nuk mund të zëvendësojë ligjin, logjikën dhe përgjegjësinë që mbart çdo gjyqtar,” përfundon njoftimi.