Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë rekursin e ish-presidentit Ilir Meta, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”. Ky vendim u mor në dhomë këshillimi, bazuar vetëm në dokumentacionin e paraqitur nga palët.
Meta kishte kundërshtuar me rekurs vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, e cila kishte rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Kolegji penal i Gjykatës së Lartë, pas shqyrtimit të çështjes, ka vlerësuar si të drejtë vendimin e Apelit të Posaçëm.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2024 dhe aktualisht po gjykohet në seancë paraprake në Gjykatën e Posaçme për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Në të njëjtën dosje penale janë të pandehur edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, ish-vjehrra Fatime Kryemadhi, si dhe Piro Xhixho dhe Ema Çoku.