Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ilir Metës, mbetet në qeli

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ilir Metës; ish-Presidenti mbetet në qeli

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Rekursi, i cili kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, u depozitua nga avokati i Metës më 3 nëntor.

Kujtojmë se sot në GJKKO u shty seanca paraprake, pasi Ilir Meta ka marrë një avokat të dytë dhe mbrojtësi ligjor do të njihet me aktet e dosjes.

Në muajin korrik, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet ndaj ish-presidentit Ilir Meta, i cili është edhe kryetar i Partisë së Lirisë, si dhe ndaj ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Ata akuzohen për vepra penale të korrupsionit.

Disa muaj më parë, si i pandehur për këtë çështje është marrë edhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho, të cilit iu komunikua përfundimi i hetimeve të hënën, më 28 korrik.

Gjithashtu, SPAK ka marrë në cilësinë e të pandehurës për pastrim parash edhe financuesen e LSI-së, Ema Çoku dhe nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Zonjës Çoku iu komunikua akuza të hënën, ndërsa Meta dhe Kryemadhi pritet të njihen të martën me përfundimin e hetimeve.

Ish-presidenti Meta akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni:

  • Për dosjen e njohur si CEZ-DIA;
  • Për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni;
  • Si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive.
Scroll to Top