Gjykata e Strasburgut refuzon kërkesën e Dodik për shkarkimin e tij
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka refuzuar si të papranueshme ankesën e Millorad Dodik kundër një vendimi të gjykatës së Bosnjës, e cila vitin e kaluar e dënoi atë me burgim dhe e shkarkoi nga detyra e presidentit të entitetit serb Republika Sërpska.
Gjykata në Strasburg konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) se vendimi u mor nga një gjyqtar i vetëm në maj. Dodik ishte ankuar në janar në gjykatën e Strasburgut, duke pretenduar se të drejtat e tij ishin shkelur nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës. Kjo e fundit, në verën e vitit 2025, e kishte dënuar atë me një vit burgim dhe ia kishte ndaluar ushtrimin e detyrës për gjashtë vjet, si pasojë e shpërfilljes së vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar në Bosnjë.
Në përgjigjen e saj për REL-in, gjykata e Strasburgut nuk ka dhënë arsye të hollësishme për refuzimin e ankesës, por theksoi se ato shpjegohen në vetë vendimin, i cili u nxor në përputhje me Rregullin 52A të gjykatës.
Rregulli 52A i mundëson një gjyqtari të vetëm ta rrëzojë një ankesë si të papranueshme në fazën fillestare të procedurave, pa një shqyrtim të thelluar të meritave. Vendime të tilla janë përfundimtare, shoqërohen me një shpjegim të shkurtër dhe nuk lejojnë apel.
Gjykata ka sqaruar se vendimi, së bashku me arsyetimin e gjyqtarit, i është dorëzuar ankuesit ose përfaqësuesit të tij ligjor. Ajo gjithashtu ka shpjeguar për REL-in se ka disa arsye për refuzimin e një ankese, në përputhje me udhëzimet e saj për pranueshmërinë.
Dokumenti sqaron se Gjykata i refuzon kërkesat, ndër të tjera, në rastet kur mjetet juridike të brendshme nuk janë shteruar, kur paraqiten jashtë afatit kohor ose kur konsiderohen qartazi të pabazuara. Gjithashtu, Gjykata nuk shqyrton çështje që nuk bëjnë pjesë në juridiksionin e Konventës ose kur ankuesi nuk ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Ky vendim vjen pas refuzimit të një kërkese të mëparshme të Dodikut nga kjo gjykatë. Në prill, Dodik kishte kërkuar një masë të përkohshme për pezullimin e zbatimit të vendimeve të gjykatave vendase në Bosnjë kundër tij. Kërkesa ishte paraqitur sipas Rregullit 39 të Rregullores së Gjykatës, i cili aplikohet vetëm në raste të jashtëzakonshme kur ekziston rrezik i menjëhershëm i dëmit të pariparueshëm ndaj të drejtave themelore.
Dodik u largua nga posti i presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, në fund të vitit të kaluar, pasi dënimi i tij u konfirmua nga institucionet e brendshme gjyqësore.
