Gjykata Kushtetuese: Përfundon mandati i Sonila Bejtjes

Gjykata Kushtetuese vendos përfundimin e mandatit të Sonila Bejtjes

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mandati i gjyqtares Sonila Bejtja ka përfunduar më datë 25 prill 2025. Ky vendim bazohet në një arsyetim të mëparshëm të kësaj gjykate, i cili përcakton se gjatësia e mandatit nuk duhet të llogaritet nga data e betimit të gjyqtarit, por nga data e mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai ka zëvendësuar.

Në rastin konkret, Sonila Bejtja ka marrë detyrën në vitin 2020. Megjithatë, gjyqtarit që ajo zëvendësoi, Sokol Berberi, i ka mbaruar mandati në prill 2016. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron: “Referuar vendimit nr. 60, datë 16.10.2025 të Gjykatës, fillimi i mandatit kushtetues që ushtron gjyqtarja Sonila Bejtja përkon me datën e deklaruar nga Gjykata të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ajo ka zëvendësuar, pra të gjyqtarit Sokol Berberi.”

Vendimi i marrë të premten hyn në fuqi menjëherë. Gjykata Kushtetuese do të njoftojë Presidentin e Republikës, si organ emërtues, dhe Kuvendin për këtë vendim.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë qenë unanimë në vendimmarrje. Mendimi i pakicës, përfaqësuar nga kryetarja Holta Zaçaj dhe gjyqtari Genti Ibrahimi, argumenton se kërkesa e Presidentit për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja është e pabazuar dhe duhej të ishte rrëzuar.

Argumentet e dy gjyqtarëve që votuan kundër theksojnë se mandati nuk përkthehet thjesht si koha gjatë së cilës ushtrohet një detyrë, por lidhet drejtpërdrejt me garancitë dhe parimet kushtetuese, përfshirë pavarësinë dhe patundshmërinë në detyrë të gjyqtarit kushtetues. Sipas këtij argumentimi, garancia e kohëzgjatjes dhe paprekshmërisë së mandatit mbron gjyqtarin nga ndikimet e forcave politike.

Gjykata Kushtetuese u vendos në lëvizje nga kërkesa e Presidentit Bajram Begaj për të interpretuar mbi deklarimin e mbarimit të mandatit të anëtarëve të saj. Qëllimi i kësaj kërkese ishte mundësimi i përtëritjes së pjesshme të trupës së Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me dispozitat kushtetuese të vitit 2016, si pjesë e Reformës në Drejtësi.

Opozita e ka kundërshtuar këtë vendim, duke e cilësuar si një tentativë të mazhorancës qeverisëse për të kapur Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka dy vakanca, pas largimit me dorëheqje të gjyqtares Elsa Toska. Për vendin e përkohshëm të Holta Zaçajt është zgjedhur gjyqtari Asim Vokshi, por procedura e përzgjedhjes është kontestuar nga kandidatja tjetër, Naureda Llagami.

Scroll to Top